Rritja e naftës, qeveria indiferente/ Shoqata e Urbanëve: Nëse s’plotësohen kushtet, s’do funksionojmë normalisht
Pavarësisht paralajmërimeve, data 1 Mars i ka gjetur në punë punonjësit e Transportit Publik të cilët pak ditë më parë paralajmëruan ndërprerje të aktivitetit në rast se nuk do të plotësoheshin katër kërkesat e tyre. Në një deklaratë për mediet ata u shprehën se kërkesat e tyre janë të njëjtat dhe janë në pritje të përgjigjes nga institucionet.
Shoqata e Transportit Urban prej muajsh është në vështirësi financiare ndërsa po vijojnë të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, pasi në të kundërt mund të ndërpresin shërbimin brenda muajit mars.
"Ishte paralajmëruar që sektori i transportit nuk do të funksiononte më 1 mars, por pas disa diskutimeve dhe premtimeve i nxorëm në operim. Kjo nuk do të thotë që ne do të jemi të gatshëm për gjithë muajin të funksionojmë normalisht në transportin ndërqytetas," tha Mema.
Shqetësuese është situata edhe më transportin ndërqytetas, ku po punohet me gjysmën e flotës për shkak të vështirësive ekonomike pas rritjes së çmimit të naftës.
"Në qytetin e Beratit operohet me gjysmë e forcës, me gjysmën e linjave. Ne ndodhemi përpara një krize të vërtetë financiare. Do të vazhdohet të punohet me gjysmën e flotës deri në përmbushjen e kushteve."
Kërkesat e operatorëve të transportit publik mbeten të njëjta dhe nëse nuk plotësohen, ata paralajmërojnë se do të marrin masa konkrete .
"Kërkesat tona ekonomike vazhdojnë të qëndrojnë ato që janë. Për shkak të vështirësisë ekonomike dhe rritjes së pakufishme të çmimit të naftës janë heqja e akcizës, TVSH në shitje dhe rimbursimi i kategorive që udhëtojnë falas. Momentet e fundit jemi konsultuar me gjithë ekspertët e Unionit të Transportit që është edhe rimbursimi i çmimit të biletës me 10-15 lekë për çdo biletë të shitur nga operatorët e transporti. Kjo do t'i jepte një frymëmarrje ekonomike transportit," tha Mema.
