Pesë kurora të familjes Karabrahimi te "5 Maji" në qiell të hapur, bashkia do t'i shembë shtëpinë pa marrëveshje

Pesë kurora të familjes Karabrahimi në zonën e 5 majit në njësinë administrative 4 kanë mbetur në qiell të hapur pasi shtëpia e tyre do të shembet. Ata kërkojnë nga bashkia një zgjidhje sa më parë për t’i kompensuar sipas çmimit të tregut.

Ky objekt i ndërtuar para 16 vitesh në njësinë administrative 4 e ka radhën për t’u shembur për t’i hapur rrugë procesit të rindërtimit.

Familjarët e kanë marrë njoftimin që më 1 mars dhe duhet ta lironin objektin.

Në të jetonin 5 kurora dhe ishin 3 biznese fati i të cilëve ende nuk dihet.

"Ne këtu kemi pasur 3 biznese dhe janë me certifikatë pronësie. Biznesi që kemi zhvilluar dhe i kemi këtu i kemi çuar në zero."

Shpëtim Karabrahimi thotë se nuk është kundër zhvillimit të zonës, por nga Bashkia nuk kanë marrë asnjë zgjidhje dhe pse shtëpinë e kanë me dokument pronësie.

"Nuk kemi firmosur, unë dua dëmshpërblim. Kaq metra sa kam dua t'i marr në pallatin që do ndërtohet në zonën tonë."

Ai kërkon që bashkia të rishikojë dhe njëherë projektin, pasi mundi dhe djersa e tij prej vitesh po shkon dëm.

"Këtu është hedhur mundi, djersa e gjithë trungut tonë familjar, si unë dhe vëllezërit e mi që janë refugjatë. Gjitha mundi dhe djersa e tyre është derdhur këtu, kur vjen fundi, vjen bashkia edhe na thotë do shembet pallati, pa asnjë kusht, pa asnjë kriter."

Këtë të martë ishte parashikuar që të shembeshin 12 banesa ku vetëm për 3 prej tyre u ekzekutua vendimi.