"Pushtimi i Ukrainës nga Rusia përbën kërcënim për të gjithë", Kim: SHBA vlerëson Shqipërinë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka thirrur në takim përfaqësues nga trupi diplomatik në Tiranë.

Qëllimi i këtij takimi është për  t’i informuar mbi rolin dhe qëndrimin e Shqipërisë ndaj agresionit rus mbi Ukrainën. Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim u shpreh se kërcënimi i Ukrainës është kërcënim për të gjithë, pëfshirë sistemin ndërkombëtar.

Kim:...të gjithë ne sigurisht e pranojnë që jemi në një moment historik. Që kërcënimi, sulmi dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia përbën një kërcënim për të gjithë ne dhe për sistemin ndërkombëtar që ne dhe paraardhësit tanë kemi punuar për dekada për ta ndërtuar nga rrënojat e Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu është shumë e qartë se në kryeqytetet tona ne po i përgjigjemi këtij momenti. Po ngrihemi në lartësinë e këtij momenti në mënyra që nuk i kishim pritur. Dhe mendoj se jemi të gjithë të befasuar me veten - për shpejtësinë, vendosmërinë, këmbënguljen, seriozitetin dhe sakrificën; kjo nuk vjen pa sakrifica - me mënyrën se si ne po i përgjigjemi, duke i dalë në mbrojtje Ukrainës, por edhe duke dalë në mbrojtje të mënyrës sonë të jetesës.

Ambasadorja tha se SHBA vlerëson rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Ajo theksoi dhe njëherë solidaritetin me Ukrainën në këto momente të kësaj sfide historike.

Kim: Ju shpreh vlerësimin e SHBA-ve për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit si bashkëpenëmbajtëse jona për çështjen e Ukrainës, shpreh vlerësimin për të gjithë ju, për bashkëpunimin dhe kontributin tuaj. Dhe përsëri e kuptojmë se bashkëpunimi dhe kontributi juaj, duke përfshirë edhe ndihmën humanitare apo ndihmën në fushën e mbrojtjes apo sanksionet nuk janë pa kosto. Por besoj se të gjithë jemi në një mendje se ia vlen. Në fund, sigurisht nënvizojmë solidaritetin tonë të plotë me Ukrainën dhe popullin e Ukrainës në këto momente të kësaj sfide historike. Ne jemi me ju. Ne do të vazhdojmë të jemi me ju.