Gumëzhin gjeneratori, Bilishti pa drita dhe ujë prej katër ditësh, qyteti në krizë për bukë

Në këto rrugë të mbuluara me borë të Bilishtit gjëmon zhurma e gjeneratorëve.

Energjia elektrike është ndërprerë prej katër ditësh.

Ngrohjen edhe e kanë të zgjidhshme me soba druri, por me bukën janë keq.

Raftet në furra janë boshatisur. Bukëpjekësit thotë se qyteti po përjeton krizë.

"Kemi mbetur pa prodhim fare, gjithë qyteti është në krizë për bukë."

Me gjeneratorët nuk po arrijnë të pjekin bukë.

"Është e papërballueshme sepse edhe gjeneratori nuk e plotëson prodhimin që bëjmë."

Për me të vjetrit kjo situatë ka rikthyer kujtimet e kohëve më të vështira.

"Shumë e vështirë, si në mesjetë. Çfarë doni më?"

Për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji nuk ka as ujë të pijshëm. Për tu larë kanë rikthyer kazanët.

"Nuk kemi ujë, nuk jemi larë."

"Ujin e dëborës kemi."

"Ujë nuk ka prej 3 ditësh, drita jo."

Veç qytetit edhe 43 fshatra në Devoll janë prej katër ditësh pa energji elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit të shpërndarjes.

"Maksimumi mund të na mbetet edhe nesër dreka."

Probleme me furnizimin janë shfaqur në shumë zona të juglindjes dhe të Dibrës.