Rruga e Arbrit s’e mban borën, aksi i pakalueshëm në Qafë Murriz, qarkullohet nga Klosi

Pranvera nisi me reshje dëbore dhe probleme dimri në veri e juglindje. Rruga e Arbrit, aq shumë e reklamuar, edhe një herë tregoi se është një aks problematik duke u bllokuar e para.

E reklamuar me bujë se që do të afronte Dibrën me Tiranën, Rruga e Arbrit rezulton se është një prej akseve më problematike sa herë bie dëborë.

Reshjet e pranverës mjaftuan për ta nxjerrë këtë rrugë jashtë funksionit duke detyruar policinë të bllokojë qarkullimin.

Segmenti, bypass-Qafë Murriz ishte i pakalueshëm këtë të martë.

Lëvizja drejt Tiranës ose Dibrës bëhet përmes aksit të vjetër Klos-Burrel-Ulëz, deri në pastrimin e by-pass nga firma kontraktore.

Veç Rrugës së Arbrit, të gjitha akset e tjera nacionale janë të hapura.

Vështirësi ka në zonat e thella trashësia e dëborës shkon deri në 20 cm.

Disa fshatra në Dibër dhe Bashkinë Bulqizë rezultojnë të bllokuar, por deri më tani nuk janë raportuar emergjenca.

Reshjet që prej mesnatës përfshinë edhe juglindjen.Qarkullimi i mjeteve ne akset rrugore nacionale dhe turistike si Korçe-Erseke-Leskovik, Korçe-Dardhe, Korçe-Voskopoje vijon pa probleme.

Fshati Panarit, rezulton i izoluar, ndërsa vështirësi kanë edhe fshatra malorë në Pogradec, Maliq e Kolonjë.

Pranvera nisi me dëborë edhe në fshatrat e Elbasanit dhe Librazhdit.

Dëbora dhe lagështia në rrugë ndërkohë është bërë shkak për disa aksidente, fatmirësisht pa pasoja në jetë njerëzish.

Ndaj drejtuesit në zonat e përfshira nga reshjet këshillohen të tregojnë kujdes.