Lufta në Ukrainë, Basha: Qeveria të tregojë gjendjen e rezervave të shtetit, të marrë masa

Lulzim Basha në një deklaratë për mediet ka kërkuar transparencë nga qeveria shqiptare për gjendjen e rezervave të shtetit dhe ka kërkuar marrjen e masave që vendi ynë të mos preket nga lufta Rusi-Ukrainë. Ai theksoi dhe njëherë mbështetjen e vendit tonë për popullin ukrainas në këto ditë të vështira.

Basha: sulmi brutal dhe i paprovokuar i Rusisë mbi Ukrainën, ne qëndrojmë të vendosur  në këto ditë të vështira pranë popullit të Ukrainës me shpresën që aleatët tanë të bëjnë gjithçka që ky agresion kundër një shteti sovran të ndalojë sa më parë. Këtu në vendin tonë na lind detyra që të minimizojmë sa më parë pasojat e kësaj lufte. Sot siguria jonë nuk është në rrezik të drejtpërdrejtë falë edhe faktit që Shqipëria është anëtare e NATO. Është e qartë që agresioni rus kundër Ukrainës pritet të ndikojnë negativisht në ekonomi, nga çmimet e drithërave tek çmimi i karburanteve dhe për rrjedhojë edhe i produkteve të lidhura me to.

Për këto arsye i bëj thirrje qeverisë shqiptare të bëjë transparencë mbi gjendjen e rezervave të shtetit, mbi planin e masave apo për masat që ka ndërmarrë për t'i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë ë cilat edhe ne kushtet aktuale e kanë të vështirë të përballojnë nevojat bazë. Gjendja ekonomike e shqiptarëve, edhe përpara zhvillimeve të fundit është e qartë për të gjithë. Sipas të dhënave, më shumë se gjysma e popullsisë ne vend sot e kanë të vështirë të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre.

Basha shtoi se është parësore dhe e menjëhershme që qeveria të ketë një plan masash që të mundësojë sigurimin e rezervave ushqimore dhe të përcaktojë mënyrat për t'i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.