“Shqipëria sot në kohë lufte është e sigurt”, Berisha: Rama protestoi me fotot e Enverit kundër NATO-s

Lideri historik i PD, Sali Berisha, teksa ka folur sërish për luftën në Ukrainë tha se Shqipëria është e sigurt falë anëtarësimit në NATO.

Në një takim me banorët e Domje, Ish-kryeministri akuzoi Edi Ramën se protestoi me fotografitë e Enver Hoxhës, kundër anëtarësimit në NATO. 

Sali Berisha: Rruga nuk ka qenë e thjeshtë po vota juaj, besimi juaj u shndërrua në një zhvillim të vërtetë për vendin në vitet e qeverisjes së PD. Ajo u shndërrua në një transformim të paparë të infrastrukturës së vendit, nga Rruga e Kombit deri në 11 mijë km rrugë të tjera në të katër anët e Shqipërisë. Dyfishuam rrogat dhe pensionet. Në rritje të shpresës për të rinjtë tanë që të ndërtojnë në Shqipëri të ardhmen e tyre.

U shndërrua në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ju e mbani mend, ditën e anëtarësimit të vendit, Edi Rama do të organizonte në Tiranë mitingjet e protestës me fotografitë e babait të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, në protestën kundër NATO-s.

Sot, ajo mbështetje juaj, ai anëtarësim në një kohë lufte për Europën e bën territorin e Shqipërisë në një territor të garantuar nga aleanca më e fuqishme e të gjitha kohërave e udhëhequr nga SHBA.