Makinat e vjedhura përdoren në krime, policia ka dështuar për t'i zbardhur
Vjedhja e makinave apo trafikimi i tyre nga vendet e BE drejt Shqipërisë është kthyer në një problem për rendin dhe zbulimin e ngjarjeve kriminale.
Më shumë se 200 automjete janë raportuar një vit më parë si të vjedhura. Për shumicën e tyre ngjarjet kanë mbetur të pazbardhura, duke i kthyer ato në një kontigjent të mundshëm për tu përdorur në atentate apo grabitje.
Eksperti i kriminalistikës Artan Rexhepi thotë se policia ka dështuar pasi i vetmi rezultat i saj është show i vazhdueshëm me aksionet për xhamat e zinj.
"Policia duhet ta ketë target vjedhjen e makinave dhe jo xhamat e errët. Po merremi shumë me xhamat e errët, kudo që lexojmë në rrjetet sociale "operacion blic në Elbasan, target makinat luksoze dhe xhamat e errët." Ç'do të thotë kjo target xhamat e errët dhe makinat luksoze? Xhelozi ndaj kapitalizmit? Nuk jemi në kapitalizëm. Xhamat e errët janë 08, janë 09, është marrë leje te ministria e transporteve, ose të mos lejohen, ose të lejohen," tha Rexhepi.
Sipas Rexhepit dështimi tjetër i policisë ka të bëjë me përdorimin e dronëve pas ngjarjeve kriminale ku policia ka munnësi për monitorimin nga ajri të autorëve.
"Makina mund të jetë e vjedhur, por nëse ti ngre dronin në momentin që ka ndodhur vrasja makina i ka mundësitë zero për tu shmangur. Të ngresh 3-4 drone, të monitorosh qytetin nga ajri është njësoj si të ngresh 3 helikopterë. Praktikisht rritet shkalla e zbulueshmërisë me përdorimin e teknologjisë," shtoi Rexhepi.
Sipas evidencave të policisë qytetet më problematike për vjedhjen e makinave janë Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora dhe Fushë-Kruja. Për sa i përket kryeqytetit zona e "Myslym Shyrrit", "Ish-stacioni i Trenit", "Astiri" dhje "Fresku" janë më të prekura nga vjedhjet e makinave. Dy ditë ë parë policia arrestoi një grup personash ku pjesë e tyre ishinin dhe efektivë të policisë të cilët prej kohësh merreshin me trafikimin e makinave të vjedhura nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.
