Hetimi i opozitës për Incineratorët, deputeti i PS: I ra narrativa e grupit të strukturuar kriminal

Partia Demokratike, dorëzoi në SPAK fakte shtese, ku pretendohet se implikohet Kryetari i bashkisë së Tiranës në aferën e inceneratorëve. Kryetarja e Komisionit Hetimor Tabaku tha se fakte do të ketë edhe për zyrtarë të tjerë por do të fillohet me Erion Veliaj që sipas saj gjatë dëshmisë u kap në gënjeshtra.

Deputeti i PS-së, Etjen Xhafaj në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora Neës me gazetarin Arnold Kariqi mohoi ekzistencën e një afere.

Xhafaj: Opozita i pati të gjitha mundësitë brenda Komisionit Hetimor për të provuar faktet e saj. Objekti i Komisionit Hetimor është shumë i qartë, rregullohet dhe vërtetohet nga ligji. Nuk ka nevojë të vazhdojë kjo farsë e të bërit akuza publike me të pandehur. Të thuash që nuk ka asnjë gjë në Elbasan, të thuash që nuk ka asgjë në Fier të kushton dy fjalë. Por ne kemi shkuar aty dhe kemi parë transformimin e fushës së Sharrës dhe sigurisht që është një nga hapat për ndërtimin e incineratorëve. Ne po flasim për impiante, nuk po flasim për diçka vetëm si incenerimi. Këto nuk janë gjëra aq të thjeshta sa do t'i bëjë opozita, janë procese komplekse të cilat këkrojnë kohën e tyre. E gjithë narrativa dhe fabula e grupit të strukturuar kriminal i ra.

A është normale të paguhen gjithë ato para për një projekt që akoma nuk ka nisur?

Xhafaj: Ne e dimë që opozita bën një përmbledhje dhe thotë që janë vjedhur para në 2047. Qëllimi i qeverisë shqiptare duke zgjedhur këto impiante është që të pastroheshin qytetet shqiptare nga mbetjet. Ato sot pastrohen. Tani fakti nëse incenerohen sot apo do të incenerohen në momentin që do të mbarojë impianti nuk ka lidhje me dhënien e një firme siç pretendohet. Ky nuk  është proces i thjeshtë, është proces shkencor i cili është bërë në bazë të disa kritereve.

Ne jemi duke folur në të njëjtën kohë kur ka një hetim të hapur nga Prokuroria e Posaçme për të njëjtat çështje. Opozita në një farë mënyrë ndikon duke i vënë para kamerave ata njerëz janë akuzuar aty. Nuk janë premisat e Komisioneve Parlamentare për të bërë gjyqe publike. Aty janë kërkuar gjëra deri tek deklaratat bankare të ministrave. Kjo ka qenë pjesë e një qëllimi të madh, hajde bëjmë një show mediatik, hajde marrim vëmendjen mediatike duke hedhur aq shumë baltë sa diçka të ngelet.

Ai shtoi se pyetjet në komisionin hetimor ishin më tepër gazetareske se sa teknike. Sipas Xhafajt, qëllimi nuk ishte të kuptoheshin proceset, por ishte të ndahej faji.