Tirana rekord lejesh ndërtimi, bashkitë kanë rritur ndjeshëm numrin e lejeve të dhëna
Vrulli i ndërtimeve në kryeqytet pritet që të vazhdojë të paktën dhe në një të ardhme afatmesme si rrjedhojë e lejeve të shumta të ndërtimit që po vijojnë të jepen.
Të dhënat e publikuara këtë të hënë nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë miratuar gjithsej nga bashkitë 1396 leje ndërtimi për ndërtesa të reja nga 961 leje të miratuara në vitin 2020.
Pra në harkun kohor të një viti, numri i lejeve të ndërtimit është rritur me 45.3 %.
Tirana kryeson listën e bashkive që kanë dhënë më shumë leje me një total prej 366 të tilla, e ndjekur nga Durrësi me 292 leje dhe Lezha me 178.
Krahas numrit të lejeve, rritje të ndjeshme ka pësuar edhe sipërfaqja e re e ndërtimit.
Referuar të dhënave, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhëna për ndërtesa të reja është 2.3 milionë m2 nga 1.6 milionë m2 miratuar në vitin 2020, duke shënuar një rritje prej 44.1 %.
Sipërfaqja e dhënë në kryeqytet për vitin që lamë pas është sa gjysma e totalit të dhënë për gjithë Shqipërinë.
Sipas INSTAT, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në Tiranë për vitin 2021 është 57.2 miliardë lekë ose 471 milionë euro. Një vit më parë, kjo vlerë ishte 327 milionë euro.
Numri i lejeve dominohet nga ndërtimet rezidenciale, kryesisht nga ndërtesa me një kat ose me dy kate. Mes lejeve për ndërtesa jo rezidente, numrin më të madh e regjistrojnë ndërtesat industriale, me 27 të tilla.
