"Mbetjet janë flori", Ceko: Incineratorët u projektuan për të abuzuar me paratë e buxhetit të shtetit, s'kemi çfarë djegim
Duke e konsideruar një gabim që në koncept, eksperti i ekonomisë Enriko Ceko thotë se qeveria dështoi me tre incineratorët pasi nuk arriti të prodhojë energji me ta, qëllimi kryesor pse ata zëvendësuan ricikluesit.
Në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj ai thotë se vendi ynë nuk ka mbeturina për të djegur në incineratorë.
Ceko: Për të djegur digjen mbetjet e ngurta dhe të rrezikshme. Shqipëria nuk ka industri të prodhojë mbetje të ngurta dhe nuk ka industri të prodhojë mbetje të rrezikshme. 50% e mbetjeve në Shqipëri janë organike, kanë nivel të lartë lagështirë dhe nuk digjen. Duhet të depozitohen për tu prodhuar pleh organik për bujqësinë. 35% e mbetjeve janë plastikë, e cila është 99% e riciklueshme për të prodhuar përsëri plastikë, 10% e mbetjeve janë qelq 100% i riciklueshëm. Pjesa tjetër janë dru dhe materiale me bazë metale, përsëri të ripërdorshme dhe të riciklueshme. Incineratorët në Shqipëri janë licencuar për të prodhuar energji elektrike. Për ta bërë këtë lënda që futet për tu djegur duhet të jetë e ngurtë me fuqi të lartë kalorifike. Incineratorët janë një gabim në konceptim. Të kërkosh licencë për të ndërtuar tre incineratorë është një gjë dhe ta kërkojë shteti prokurimin publik është gjë tjetër. Është kërkesë e një subjekti privat që i ka bërë kërkesë qeverisë shqiptarë të ndërtojë incineratorë me para të buxhetit të shtetit. Nuk është parë as dëgjuar asnjëherë në historinë botërore të financave publike në asnjë vend të botës. Është projektuar të abuzohej me paratë e buxhetit të shtetit.
Si vazhdim të kësaj anomalie dhe alogjike e sheh edhe investimin në Skavicë.
Ceko: Kemi shpenzuar miliona euro për të prodhuar energji elektrike që nuk po prodhohet dhe tani themi të japim dhe 300 mln të tjera të bëjmë Hidrocentralin e Skavicës, duke shkatërruar prapë tokë bujqësore. Kur ulemi të bëjmë një investim publik në fillim funksionon logjika. Kemi 6 vjet që kjo qeveri merr hua në tregun ndërkombëtar 500-600 mln euro në vit dhe me këto para ndërtohen tre incineratorë që nuk funksionojnë. Ku është logjika ekonomike dhe financiare këtu?
Eksperti i ekonomisë thotë se përkundër ndryshimeve, ligji shqiptar i koncesioneve është në mospërputhje totale me legjislacionin ndërkombëtar për koncesionit.
Ceko: I lë hapësirë shumë të madhe penetrimit të subjekteve të cilat mund të abuzojnë me kontrata koncesionare duke u bërë pengesë për investitorët seriozë ndërkombëtarë.
Sa i takohen mbetjeve, ai mendon se Shqipëria i ka të gjitha burimet e mundshme njerëzore për të menaxhuar.
Ceko: Mbetjet emrin e kanë mbetje, janë flori.
Lidhur me hetimet e komisionit hetimor për aferën 430 mln lekë të djegësve të mbetjeve Ceko thotë se nuk ka pritshmëri për ndonjë rezultat konkret.
Ceko: Nuk ka për të ndodhur ndonjë gjë, sidomos në aspektin e politikës. Kemi një komision që do pranojë dy raporte, kryetarit dhe zëvendëskryetarit. Kë raport do marrim për bazë ne? Në gjithë historinë e komisioneve asnjë raport nuk ka shkuar në prokurori. Do të doja që prokuroria të mos i referehej fare komisionit por të marrë në shqyrtim pikëpamjet e specialistëve dhe të shikojë abuzimin e pastër me paratë e buxhetit të shtetit.
