U kapën duke transportuar 11 emigrantë të paligjshëm, 3 të arrestuar në Korçë
Tre persona janë arrestuar ditën e sotme në Korçë pasi janë kapur duke transportuar 11 emigrantë të paligjshëm.
Policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit A. F., 50 vjeç; N. F., 45 vjeçe, banues në Korçë dhe M. P., 31 vjeç, banues në Pajovë, Peqin.
Shërbimet e policisë kanë kapur në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Starovë, Pogradec, mjetin tip "Benz", me drejtues shtetasin A. F. dhe pasagjere bashkëshorten e tij, shtetasen N. F., me të cilin këta shtetas po transportonin 4 emigrantë të paligjshëm.
Drejtuesi i mjetit, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë kur i kanë bërë shenjë për të ndaluar, por më pas u kap dhe u arrestua.
“Gjithashtu shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, kanë konstatuar në dalje të qytetit të Pogradecit, mjetin tip "Fiat", me drejtues shtetasin M. P., duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 1000 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.”- njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", kryer në bashkëpunim dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".

