Qafë Botë/ Do trafikonte 80 kg kanabis drejt Greqisë, arrestohet 45-vjeçari nga Fieri

Një 45-vjeçar nga Fieri i cili tentoi të trafikonte një sasi të konsiderueshme lënde narkotike cannabis sativa, drejt Greqisë është arrestuar.

Policia bën me dije se ka sekuestruar 80 kilogramë kanabis dhe një automjet (kamionçinë) dhe ka arrestuar shtetasin A. A., 45 vjeç, banues në Fier.

"Shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Botës, bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mund të transportonte një sasi të madhe lënde narkotike drejt Greqisë, kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip kamionçinë që drejtohej nga shtetasi A. A., 45 vjeç, banues në Fier. Si rezultat i kontrollit u bë e mundur që në brendësi të kamionçinës të gjendeshin të fshehura 74 pako me lëndë narkotike kanabis (me peshë 80 kilogramë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip kamionçinë," informon policia.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi A. A. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve është bërë arrestimi në flagrancë i tij, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.