Shiste heroinë, arrestohet 37-vjeçari në Tiranë. Çfarë i gjeti policia
Policia e Tiranës ka arrestuar një 37-vjeçar i cili akuzohet për prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Blutë bëjnë me dije se u sekuestrua lëndë e dyshuar narkotike heroinë e ndarë në doza gati për shitje, një sasi metadoni, një peshore elektronike, dy aparate celulare dhe 15.500 lekë të rinj që dyshohet se janë përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm.
"Pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, bazuar dhe në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike heroinë në zona të ndryshme të Tiranës, policia finalizoi operacionin "Selita" në kuadër të të cilit u bë arrestimi i -G. Ç., 37 vjeç, banues në rrugën "Ndre Mjeda", Tiranë. "
Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike në sasi 200 deri 500 gramë, e ndante atë në porcione të vogla, të cilat më pas i shiste në rrugën "Irfan Tomini", në bulevardin "Bajram Curri" dhe zona të tjera, kundrejt vlerës 1000 lekë të rinj një dozë me heroinë, bën me dije policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike".
