Deklarata e Yuri Kim, Baçi: Basha i trembur nga humbja kërkoi ndihmë, ndërhyrja e dukshme. Kandidatët të PD, jo Berishës
Ndërhyrje të pastër në zgjedhje për të ndihmuar Lulzim Bashën. Kështu e konsideron deputeti demokrat Luan Baçi deklaratën e ambasadores amerikane Yuri Kim në rrjetet sociale ku pyeste kandidatët e Grupit të Rithemelimit se çfarë u ofrojnë votuesve në një kohë kur sponsori i tyre është non grata.
Baçi: Duke parë një frymë të sigurit që kandidatët e PD nën siglën Shtëpia e Lirisë do të jenë fitues, Lulzim Basha i trembur nga kjo gjë kërkon menjëherë ndihmë dhe ndërhyrja është e dukshme që është për ta ndihmuar. Shikohet hapur një tendencë për ti dhënë një mbështetje të pamerituar Lulzim Bashës, për ta quajtur si drejtues të PD një individ të thjeshtë që anëtarësia e PD e ka shkarkuar.
Në një intervistë për Rtv Ora, Baçi thotë se në proceset zgjedhore nuk duhet të ketë ndërhyrje.
Baçi: Është shqetësuese si deklaratë. Dihet jemi në një proces zgjedhor. Bëhen zgjedhje lokale në 6 bashki, zgjeshje të parakohshme, të detyruar, janë 6 kryetarë bashkie të mazhorancës socialiste që ligji i dekriminalizimit u ka ndërprerë në mes mandatin e vjedhur që kanë pasur nga 2019. Në proceset zgjedhore nuk duhet të ketë ndërhyrje.Jam plot besim, respekt dhe vlerësim për partnerët ndërkombëtarë, aq më tepër kur bëhet fjalë për partnerin tonë strategjik SHBA, garant i demokracisë në gjithë botën. Kjo është shqetësuese për PD. Kandidatët në 6 bashki nuk janë kandidatë të Sali Berishës, janë kandidatë të PD, kandidatë që janë propozuar nga anëtarësia e PD, janë votuar nga anëtarët e PD në primare, ashtu siç janë primaret në SHBA. Më afër me SHBA se jemi ne nuk besoj se është subjekt tjetër politik, kur them ne, them PD e rithemeluar në kuvendin e 11 dhjetorit.
Në gjykimin e Baçit, ambasadorja ka mungesë informacioni lidhur me zhvillimet e PD, teksa i kërkon të mos e personalizojë këtë zhvillim të selisë blu mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.
Baçi: Nëse nuk i intereson proamerikanizmi ynë është problemi i saj. Por mendoj se duhet ti intersojë si përfaqësuese e SHBA në vendin tonë. Zonja ambasadore duhet të marrë informacion më të hollësishëm, më të detajuar dhe këtë informacion duhet ta marrë nga qytetarët e thjeshtë, anëtarët e thjeshtë të PD, nuk duhet të mjaftohen vetëm me informacionet që marrin nga qeveria apo ata që sot e quajnë veten drejtues të PD, të cilët dihet që nuk janë më ligjërisht drejtues të PD, por vetëm disa deputetë të PD, uzurpues dhe mbajtës me forcë të karrigeve që kanë zënë nga kuvendi i korrikut, një kuvend në nxitim e sipër për tu fuqizuar dhe kaluar situatën e pas 25 prillit. Ka mungesë informacioni për mënyrën si zhvillohen ngjarjet brenda PD. Duke parë dhe një farë qëllimi që kanë, duke personalizuar këtë zhvillim të brendshëm të PD midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Nuk duhet personalizuar.
