Berisha: Yuri Kim si guvernatore ndërhyn në proceset elektorale, përfaqëson mafien e George Soros

Në takimin prezantues të kandidatit të 'Shtëpisë së Lirisë', Ardian Muka në Shkozet të Durrësit, ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër pas deklaratave të ambasadores Yuri Kim.

Berisha tha se Yuri Kim në vendin tonë përfaqëson mafien e George Soros dhe është një përpjekje e pashpresë për të prishur imazhin e ShBA-ve te shqiptarët.

Berisha: Në fakt, e gjithë kjo përpjekje është e pashpresë. Si guvernatore i lejon vetes të ndërhyjë në proceset e brendshme elektorale dhe këtu ajo përfaqëson mafien e George Soros, shkelmon mbi ligjet dhe parimet e vendit të saj të lirë dhe të Shqipërisë.

Të mos harrojmë se një nga qëllimet e mafies sorosiane është të prishë imazhin e SHBA te shqiptarët, këtë kurrë nuk do ta realizojë. Jo. Ne do të ecim të vendosur të votojmë të lirë, të zgjedhim të lirë përfaqësuesit tanë. Të zgjedhim të lirë brenda partisë ata që duam, siç kemi zgjedhur Ardi Mukën, të zgjedhim të lirë qytetarët e parë dhe këshilltarët tanë me votën e lirë.