Balluku: Incineratori i Tiranës nuk i merr asnjë lek buxhetit të shtetit, Mërtirin e Zoton nuk i njoh
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në komisionin e për incineratorët, u shpreh se impianti i Tiranës nuk i merr asnjë para buxhetit të shtetit.
Sipas saj, Ministria e Infrastrukturës nuk i kalon asnjë kokërr leku koncesionarit dhe se paratë kalojnë nga ministria te Bashkia e Tiranës, për të mbështetur bashkinë për menaxhimin e mbetjeve.
Ndërkohë e pyetur nga deputeti demokrat Belind Këlliçi, Balluku ka mohuar që të ketë njohur Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, të cilët janë shpallur në kërkim për Inceneratorët.
Debatet në komision:
Këlliçi: Nuk kemi gjetur një shpjegim se pse është vendosur çmimi 29 euro për ton për inceneratorin e Tiranës. Ky koncensionar paguhet nga lekët e shtetit
Balluku: Dua para se gjithash që të sqaroj faktin se impianti i Tiranës nuk ndërtohet me paratë e buxhetit të shtetit. Do ishte gabim dhe abuzim. I gjithë impianti ndërtohet përmes instrumentit të koncesionit. Koncesion do të thotë se koncesionari vendos nga paratë e veta dhe e ndërton atë dhe e përdor për 30 vite. Dhe më pas 30 vitesh vendos shtetit se çfarë do të bëhet me këtë impiantin. Ministria e Infrastrukturës nuk i kalon asnjë kokërr leku koncesionarit, zero. Ne mbështesim Bashkinë e Tiranës. Ato para kalojnë nga ministria te Bashkia, për të mbështetur bashkinë për menaxhimin e mbetjeve. Pra ne nuk i japim asgjë koncesionarit. Nuk ka asnjë marrëdhënie përmes buxhetit të shëtit dhe koncesionet. Koncesionet nuk ndërtohen nga buxheti i shtetit.
Këlliçi: S’do i hyja fare komentit për zërin e koncensulencës. Por tallje më të madhe se kjo s’ka. Këto para kanë shkuar për Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan. Në landifillin e Sharrës në këto vite janë dhënë 37 mln euro dhe ai është landfill ende.
Balluku: Pyetjet tuaja janë të shkurtra, por konkluzionet janë të gjata. Se çfarë ka qenë landfilli i Sharrës dhe çfarë është sot, nuk është diçka që ngelet këtu mes nesh në bisedë. Banorët e Kombinatit e dinin se ku jetonin. nëse ka pasur një emergjencë mjedisore në Tiranë, ka qenë Sharra. Mos bëni konkluzione mbi përgjigjet e mia se aty keni raportin.
Këlliçi: Me mijëra qytetarë janë proceduar penalisht se kanë rregulluar çatinë, apo kanë zgjeruar dritaren, sidomos aty në Kombinat ku jeni dhe ju deputete. Në Landfillin e Sharrës nuk është bërë vetëm për përgatitje për ndërtim, por është bërë një e tillë pa leje. Pronarët duhet të ishin paditur për ndërtim pa leje.
Balluku: Ju mund të thoni se aty janë bërë ndërtime pa leje. Por unë ju them se aty është përgatitur kantieri dhe deri në zbardhjen e lejes, nuk ka pengesë.
Këlliçi: A keni kontakt më me zonjën Gugallaj, Zotot dhe Mërtiri?
Balluku: I dashur Belind, jo vetëm që nuk kam marrëdhënie dhe si kam takuar së fundmi, por bëj pjesë te ata njerëz që nuk i kam njohura asnjëherë. Si kam parë as në foto. Pyetja se i kam takuar apo jo së fundi bie. Si njoh dhe si kam takuar më parë, dhe as që nuk i takoj së fundi.

