Seanca maratonë, Subashi dëshmon për incineratorin e Fierit: Kam komunikuar 2-3 herë me Klodian Zoton për impiantin


Kreu i Bashkisë së Fierit, Armand Subashi, ishte dëshmitari i radhës në seancën maratonë të Komisionit Hetimor për incineratorët.

Dëshmia në Komision vjen pas marrjes së tij në pyetje nga SPAK për të njëjtën çështje.

Subashi deklaroi se ka pasur kontrakte me Klodian Zoton, i cili është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorët nga SPAK së bashku me Stela Gugalljen.

Subashi: Kam pasur komunikim 2-3 herë me Klodian Zoton, momenti kur filluam që të depozitonim mbledhjen  të impiantin e ri dhe kemi bërë biseda në kuadrin teknik së bashku me persona që kanë administruar impianit, një bisedë teknike si do shkojnë, si do i depozitojnë, mbetjet dhe për orarin, se ne kemi kërkuar që impianti të punojë gjatë natës dhe kemi gjetur dakordësinë.

Sa i takon incineratorit të Fierit, Subashi shtoi se brenda pak ditësh ai do të vihet në punë.

Çupi: A ka përfunduar kontrata ose në sa përqindje të saj është e ekzekutuar deri më sot?

Subashi: Nuk mund ta them me siguri në kuptimin e shifrave, por nga informacionet që kam, ka mbetur shumë pak që kontrata të quhet e përfunduar, ka mbetur vetëm pjesa e incenerimit. Për pak ditë dhe ajo do vihet në zbatim dhe kontrata do të quhet e përfunduar. Por për në shifra, në përqindje në aq euro, apo kaq lekë nuk mund të jap një përgjigje pasi nuk kam dijeni për këtë çështje.

Çupi: Kush mund të përgjigjet për këtë, zonja Balluku tha që vijon të ketë situacione të papaguara, por nuk merr përsipër monitorimin e kontratës. Bashkia Fier vijon të thotë që duhet të ketë diçka për të paguar por nuk marr përsipër pasi nuk e kam kompetencë monitorimin e kontratës. Ne kemi informacion që nga zbatimi i kontratës së Fierit kanë mbetur vetëm 2 mijë lekë të vjetra.

Në dijeni tuaj, kush është një person, ose përfaqësues i një institucioni shtetëror që mund të na japë qartësisht një përgjigje të saktë, kush e monitoron kontratën, sa përqindje është e zbatuar, kur merret në dorëzim nga bashkia e Fierit dhe kur fillon punën inceneratori i Fierit.

Subashi: Ju thashë që unë nuk mund të jap detaje se nuk kam informacion për këto detaje. Nga takimet që kam patur me drejtorin e impiantin më ka thënë që për pak ditë fillon procesi i incenerimit. Që nga ky moment impianti quhet 100% i përfunduar. Nuk është as në kompetencën time në diskrecionin tim që të përcaktoj se kush është ai institucion që t’iu ndriçoj juve në këtë sallë se kush do të përgjigjet për zbatimin e kontratës.