"Jo fjalë, vepra!" Senatori italian për Ora News: Koha për çeljen e negociatave, punoni për drejtësi e transparencë
Zëvendëskryetari i delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, senatori Manuel Vescovi, në një interviste për Ora News thotë se për Shqipërinë është koha e çeljes së negociatave.
"Për mua është shumë e rëndësishme beteja, Shqipëria në Bashkimin Europian. Unë jam në Komisionin e Jashtëm dhe e shoh nga afër situatën, e mbështes këtë proces dhe duhet ta bëjmë së bashku këtë betejë që të finalizohet sa më parë. Unë e besoj që sot është koha për ti thënë po çeljes së plotë të negociatave. E nuk duhet vetëm të flasim, por të veprojmë".
Drejtësia është pika kyçe ku Shqipëria duhet të vijojë të punojë fort.
"Njëra sigurisht që është drejtësia. E tjetra transparenca. Të gjithë qytetarëve tu garantohen të drejta të barabarta".
Senatori italian e pranon se krizat e brendshme politike ndikojnë në këtë proces, por është i kujdesshëm në qëndrimet që mban.
"E kam ndjekur dhe e kam asistuar, kam dëgjuar një pjesë të aktorëve politik tuajt, veçanërisht në periudhën kur opozita doli nga parlamenti. Por e përsëris nuk dua të ndaj qëndrime sa i përket vendimeve të grupeve të caktuara politike, sepse duke përfaqësuar shtetin tim, une merrem me marrëdheniet që na përkasin si dy shtete. Krizat nuk e ndihmojnë integrimin. Nga jashtë kur shohin konflikte të brendshme, shprehet qartë që përpara se të bëheni pjesë e jona, zgjidhini problemet e brendshme tuajat. Mbi të gjitha që të ndiqen linjat e kërkuara nga Unioni Europian, përpara anëtarësimit. Janë hapa që duhen ndjekur e kur kjo bëhet siç duhet, për ne është shumë më mirë që t’ju shohim sa më parë në Unionin Europian".
Ai u takua me ish-kryeministrin Sali Berisha pak ditë më parë në Shkodër, por kur pyetet mbi një qëndrim për njeriun e shpallur “Non grata” nga SHBA, ai shmang komentet.
"Nuk më takon mua të jap gjykime mbi politikën në Shqipëri, por duhet të jenë qytetarët e këtij vendi që ta bëjnë gjykimin e tyre përmes votës, që është edhe referendumi i tyre. Sa më takon mua, kur vi në Shqipëri, duke qenë pjesë e grupit të miqësisë, i takoj të gjithë. Pastaj shqiptarët e dijnë vetë dhe do të vendosin kush janë përfaqësuesit e tyre".
Manuel Vescovi është kritik edhe me shtetin italian që sipas tij duhet të jetë më i fortë në marrëdheniet me Shqipërinë, për vetë historinë e këtyre raporteve.
