“S’ka dyfishim takse, por shkrirje” Shoqëria koncesionare NOA hedh poshtë akuzat: Mashtrim, ja shifrat
Shoqëria NOA Control sh.p.k dhe shoqëria koncesionare NOA Inspect hedhin poshtë zërat se do të ketë dyfishim të taksës së kontrollit të pompave në stacionet e karburanteve, duke sqaruar se bëhet fjalë për shkrirjen e dy shërbimeve në një
Nuk ka dyfishim takse, por shkrirje të 2 shërbimeve në 1 të vetme. Ky është reagimi sqarues i Shoqërisë NOA Control sh.p.k dhe shoqërisë koncesionare NOA Inspect, të cilat hedhin poshtë zërat se do të ketë rritje të taksës së kontrollit të pompave në stacionet e karburanteve.
Deri në momentin e dhënies me koncesion të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, pikat e karburanteve kanë paguar 6,000 Lekë për verifikim, si dhe një tarifë tjetër që varionte në vlerat 8,000 – 14,000 Lekë për ofrimin e shërbimit të regjimit automatik. Tarifa këto lehtësisht të verifikueshme pranë Autoriteteve Përgjegjëse.
Si rrjedhojë, sipas kompanive koncensionare tarifa e propozuar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë i përfshin të dy këto shërbime si një i plotë dhe është më e ulët se ajo me të cilën përballeshin pikat e karburanteve më përpara.
Çka nënkupton që pikat e karburanteve nuk do të kenë asnjë kosto shtesë nga ajo që paguanin më parë.
Për të realizuar sa më mirë detyrën e tyre, NOA Control sh.p.k dhe NOA Inspect prej 1 Korrik të vitit 2020 janë gjithashtu partner të kompanisë lider në Europë dhe e treta në botë në fushën e inspektimeve, DEKRA nga e cila marrin praktikat më të mirat të inspektimit.

