Zjarrvënësi “i sëmurë” lihet i lirë, familja që i dogji banesën denoncon “skandalin” e policisë Mat

Një denoncim nga Klosi rikthen në vemendje problemet e trajtimit me personat me probleme të shëndetit mendor. Një person u tillë është identifikuar si autori i zjarrvënies së qëllimshme në banesën e Neim Fikut, i cili kërkon reagimin e institucioneve në mënyrë që ai të mos rrezikojë të prodhojë tragjedi në të ardhmen.

Kjo banesë e familjes Fiku nga fshati Klos Katund të Bashkisë Klos u dogj shtatorin e kaluar me gjithçka që kishte brenda.

Policia lokale i ka treguar kryefamiljarit se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme nga një person me probleme të shëndetit mendor dhe hetimi është mbyllur duke e lënë zjarrvënësin të lirë.

"Policia e ka mbyllur si çështje, zjarrvënia ka qenë e qëllimshme, e ka kryer një person me probleme të shëndetit mendor që se kap ligji."

Por ajo që i jep përmasat e një skandali qëndrimit të policisë, sipas Nerim Fikut, është fakti që është lënë i lirë një person që në të ardhmen mund të rrezikojë sërish jetë njerëzish.

"Dua të di kush është ai person që të ruhem prej tij, të ruhet fëmija, të gjithë si familje."

Vitet e fundit në vend janë shënuar disa ngjarje tragjike ku më pas është zbuluar se autorët kanë qenë persona me probleme të shëndetit mendor, të patrajtuar dhe jashtë vëmendjes së institucioneve.