"Do ta thyejmë frikën, do flasim dhe kundër Erion Veliajt", Tabaku: Përgjegjës për 5 procedura me incineratorin

Kryeministri Edi Rama, ministrat kryesorë të qeverisë dhe kryebashkiaku i Fierit do të paraqiten nga e hëna për t'iu përgjigjur pyetjeve mbi 3 kontratat e incineratorëve. Jorida Tabaku përmes një konference për mediat ka renditur 5 pika ku Erion Veliaj ka shkelur ligjin.

Nga e hëna në komisionin parlamentar hetimor do të paraqiten ministrat e qeverisë Rama të akuzuar për korrupsion në kontratat e koncesionit të mbetjeve.

Në konferencën e posaçme për mediat në selinë e PD, Lulzim Basha, i kërkoi SPAK të vepronte me arrestimet.

Nga ana tjetër kryetarja e komisionit hetimor renditi shkeljet e kryebashkiakut të Tiranës.

Tabaku: Nuk bëhet fjalë për përgjegjësi kolektive por përgjegjësi individuale. Sesi secili me vullnetin e tij, me firmën e tij, me përgjegjësinë e tij që i ka caktuar ligji ose ka lejuar, ose i ka hapur rrugën një procedure korruptive, në të gjitha rastet dëmi është për buxhetin e shtetit.

Falenderoj një grup zyrtarësh publikë që kanë refuzuar të firmosin, na kanë sjellë dhe ne informacione dhe shkresa që nuk i kam marrë dot në komisionin hetimor. E kemi thyer frikën pak nga pak për çështjen e incineratorëve por frikën më të madhe do ta thyejmë këto ditë, do të flasim dhe kundër Erion Veliajt. Erion Veliaj ka përgjegjësi për të paktën 5 procedura.

-E para, si kryetar i bashkisë Tiranë ka marrë përsipër buxhetin e të gjithë bashkive të qarkut Tiranë.

-Së dyti, ka marrë përgjegjësi që duhet ti kishte këshilli bashkiak i Tiranës dhe ka angazhuar buxhetin e bashkisë së Tiranës për 30 vite, nuk i takon Veliajt kjo.

-Së treti, ka shkelur një kontratë koncesionare dhe ka dhënë një monopol për dherat dhe i detyron bizneset në mënyrë korruptive që të shkojnë dhe të depozitojnë mbetjet atje. Ne nuk na intereson fare se çfarë bën biznesi apo kompania e ndërtimit, ne na intereson për buxhetin e shtetit.Na intereson sesi ky vendim i tij ndikon në buxhetin e shtetit. Të treja këto i ka bërë Erion Veliaj, mban përgjegjësi Erion Veliaj.

Si asnjëherë më parë qeveria miratoi në kohë rekord kontrata dhe vendime në lidhje me to.

Madje dhe iu dhanë 23 milionë euro koncesionarëve ende pa nisur punë, ndaj për Bashën pas kësaj mund të fshihet vetëm Rama.

Një nga deputetët më aktiv në hetimin e tre koncesioneve është dhe Lefter Gështenja, i cili shtoi se veç shumicës 430 milionë euro që parashikohet në kontratë ka edhe fatura të tjera për tu paguar.

Vetëm dy ditë më parë SPAK mori në pyetje kryetarin e bashkisë së Fierit, Armando Subashi, por dhe ish- sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë Alqi Bllako.