"Të prerë në besë!" Fermerët e Fierit dhe Beratit në protestë për rritjen e çmimeve, bllokojnë qarkullimin

Fermerë të Fierit e Beratit në protestë ndaj rritjes së çmimeve të karburantit dhe plehrave kimike bllokuan qarkullimin në Urën e Kuçit. Ata fajësuan qeverinë se shkeli premtimet për subvencionet dhe për rrënimin nga produktet e importit.  

Në Urën e Kuçit, që ndan Fierin e Beratin, fermerët e dy qarqeve u bënë bashkë për hallin që i ka zënë.

Të zhgënjyer e të lënë pas dore, blegtorë e bujq bllokuan qarkullimin për pak kohë.

Rritja e çmimit të naftës dhe plehrave kimike i rëndon të gjithë njëlloj.

Thonë se dita-ditës po rrënohen ekonomiksht ndaj po detyrohen të mendojnë largimin.

"Kemi falimentuar, 100 mijë plehu, 2 mijë nafta".

"Fermerët e mbledhur sot për 2 muaj e shumta janë të ikur në Gjermani."

"Këtu do mbetet qeveria dhe policia."

Blegtorët ndihen të prerë në besë nga qeveria. Ndryshe nga sa ju premtua, subvencionet tanimë nuk do të jepen për liter qumështi por për numrin e krerëve të bagëtive.

"Na tha 100 lekë për litër, tani doli skema, gënjeu. Thotë 100 mijë lekë për lopë."

"Një fermer i vogël  ka mundësinë për 5 krerë, tani duhet të blejë dhe 5 krerë 10 mln lekë, të futet në kredi për të marrë 100 mijë lekë për lopë?"

Të përjashtuar nga skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë janë edhe fermerët e vegjël.

"Fermerët e vegjël i ka hequr nga skema."

Veç indiferencës së qeverisë, po dëmtohen edhe nga mallrat e importit që mbërrijnë në Shqipëri me çmime shumë më të lira se tyret.

Për t`i bërë ballë vështirësive janë detyruar të marrin kredi ose borxh te të afërmit.

"Të tërë me borxhe, të tërë të mbytur, ku të vemi?"

Kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Ervin Resuli, i bën thirrje Ministrisë së Bujqësisë të rishikojë buxhetin.

"Të rishikojë buxhetin e bujqësisë dhe blegtorisë dhe skemat që janë shumë përjashtuese për 70% të fermerëve."

Për shqetësimet që ua vështirësojnë jetesën në fshat, por edhe kërkesat e papërmbushura nga qeveria, fermerët thonë se do t`i vijojnë e përshkallëzojnë protestat.