Aksident në hyrje të Kuçovës, motori përfundon poshtë rrotave të autobusit, plagoset rëndë drejtuesi

'Pandemia' e aksidenteve nuk ka të ndalur në rrugët e vendit. Një i ri mbeti i dëmtuar rëndë pasi motori me të cilin udhëtonte përfundoi nën rrotat e një autobusi pranë Kuçovës. Shkurti nisi me tre viktima në aksin Elbasan-Librazhd, ndërsa janari u mbyll me 17 të vdekur në rrugë.

Një i ri mbeti i plagosur pasi motori me të cilin udhëtonte përfundoi nën gomat e një autobusi.

Aksidenti u shënua në aksin Dimal-Kuçovë, rreth 3 km në hyrje të Kuçovë.

Autobusi me targa AA 359 AZ i drejtyruar nga Luan Plaku vinte nga Kuçova në drejtim të Dimalit ndërsa motori qarkullonte drejt Kuçovës.

Në këtë pikë të rrugës drejtuesi i autobusit është kthyer për të parkuar dhe aty është përplasur me motorin

Për pasojë mbeti i plagosur drejtuesi i motorit, i identifikuar si Esjan Llozgari.

Ai u dërgua për ndihmë mjekësor në Spitalin e Beratit ku mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë.

Përgjatë shkurtit në rrugët e vendit janë shënuar disa aksidente të rënda, ndërsa muajin e parë të vitit u regjistruan 158 aksidente, me 17 viktima dhe 184 persona të plagosur.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vitit 2021 u mbull me 197 viktima dhe 1860 të plagosur në 1.376 aksidente.