Viktima në shtëpi, policia tek dera, porta e kyçur e banesës vonoi 8 ditë zbulimin e vrasjes në Vlorë
Ngurimi i Policisë së Vlorës për të kaluar një portë të mbyllur u ka dhënë një avantazh prej të paktën 8 ditësh, vrasësve të 47-vjeçarit Altin Alikaj në Vlorë. Masakrimi i ish-ushtarakut që kishte rënë nën varësinë e drogës, mbetet i mbushur me mister, ndërsa autori është i lirë.
Porta e jashtme e kyçur dhe të dhënat e sistemit TIMS, sipas të cilit Altin Alikaj rezultonte në Kosovë, i dhanë një avantazh prej 8 ditësh vrasësit ose vrasësve të 47-vjeçarit ish-ushtarak.
Efektivët e policisë së Vlorës që po hetonin zhdukjen e tij prej datës 11 shkurt, nuk e kaluan kurrë derën që do ti çonte në zbulimin e krimit që mbetet pa autorë.
Blutë nuk dyshuan që dikush mund të kishte kaluar rrethimin pa hapur derën, dhe pasi shkëputi energjinë kreu vrasjen siç tashmë është provuar.
Familjarë dhe banorë të zonës janë marrë në pyetje përgjatë orëve të fundit, por dëshmitë e tyre mësohet se nuk kanë dhënë elemente të reja.
Ata mësohet se kanë konfirmuar se Altin Alikaj ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe herë pas herë futej në borxhe, por nuk kanë qenë në dijeni të konflikteve që i kushtuan jetën.
Prishja e pazareve të drogës dhe borxhet, janë pista kryesore të hetimit për vrasjen e 47-vjeçarit.
Por udhëtimi në Kosovë së fundmi, nga ku Altin Alikaj ishte kthyer ilegalisht dhe zhdukja e telefonit e bëjnë grupin hetimor që të mos përjashtojë as pista të tjera.
Një prej tyre mësohet se është ajo e informacioneve që 47-vjeçari mund të ketë patur për ngjarje apo veprimtari që mbeten po ashtu të paqarta.
Hetimi sipas burimeve është i vështirë dhe identifikimi i autorëve po ashtu, ndërsa e plotë është zbardhur vetëm dinamika.
Autori ose autorët, sipas rindërtimit të skemës, fillimisht helmuan qenin e fqinjit dhe kanë hyrë në banesën e 47-vjeçarit.
Ky i fundit, nuk përjashtohet të jetë dhunuar e goditur me sende të forta para se të qëllohej me një plumb, çka i ka shkaktuar vdekjen.
Vrasësi është larguar pa rënë në sy duke përfituar nga errësira që mbizotëron në zonën periferike ku po ashtu mungojnë edhe kamerat e sigurisë.
