Propagandë "demokratike" mbi propagandën totalitare ose Kush ka nevojë të vetëshfajësohet?
Ka prova të sigurta që vërtetojnë se pasi bien regjimet totalitare opinioni publik e drejton vëmendjen te historia e shoqërisë që sapo ka lënë pas. Intelektualë, studiues, gazetarë, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile, qytetarë të panumërt kanë pyetur: Çfarë na kishte ndodhur? Si u bë e mundur që shoqëria jonë arriti të binte në duart e pushteteve totalitare? Çfarë fuqie patën diktatorët që na u imponuan duke kontrolluar fjalën tonë të lirë, duke marrë nën kontroll pushtetin, ekonominë, edukimin, artet, mediat? Si arritën ata të bëjnë reprezalje masive duke dënuar pa ligj kundërshtarë ose njerëz krejt të pa përfshirë në politikë, përballë një shoqërie që përgjithësisht ka heshtur ndaj të keqes, ndofta edhe e ka brohoritur?
Të tilla pyetje janë bërë edhe pasi ra regjimi fashist në Itali, edhe kur u rrëzua shteti nazist hitlerian, kur u shpërbë regjimi frankist në Spanjë, apo edhe në vitet ’90, në vendet e Lindjes evropiane që sapo kishin dalë nga regjimet totalitare të tipit sovjetik.
Ka shumë prova që dëshmojnë se në periudhën pas-totalitare në opinionin publik kanë qarkulluar tri paragjykime kryesore:
a. Regjimi totalitar është një devijim aksidental i historisë së kombit, një çnatyrim i të kaluarës së tij, një faqe e turpshme, por krejt e rastit e historisë së tij; njëfarë “loje” e fatit nga ato që kombet kanë provuar gjatë ekzistencës së tyre, një trup i huaj në vlerat etike dhe kulturore kombëtare, një gabim madhor krejt rastësor nga ata që bëjnë jo vetëm njerëzit e veçantë, por edhe bashkësitë e mëdha njerëzore. E shumta, një dukuri e mistershme, e pashpjegueshme dot nga arsyeja, një tekë e historisë, një verbim i përkohshëm i kombit.
b. Totalitarizmi është pushteti i një njeriu të vetëm i ndodhur në majën e piramidës së pushtetit arbitrar, qoftë ky një Duçe, një Fyhrer, një Timonier i Madh, i cili ka arritur të ndërtojë sundimin e tij personal mbi miliona, dhjetëra ose qindra milionë njerëz. Ai ka arritur për shkak të aftësive të veta krejt të veçanta, pothuajse djallëzore, të ndërtojë ata mekanizma, aparate që sigurojnë sundimin e tij, të indoktrinojë pasuesit dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, në numër të pakët, sa gishtat e dy duarve, për të formuar udhëheqësinë e pushteteve diktatoriale. Pikërisht ky lider djallëzor, karizmatik, dhe këta pak pasues të tij në majë të piramidës së pushtetit pretendohet se mbajnë përgjegjësinë e të gjitha pasojave që i ngarkohen me të drejtë regjimit totalitar. Ata paraqiten sikur janë përgjegjësit e vetëm për krimet e kryera, për militarizimin e vendit, për izolimin e tij, për dhunimin e të drejtave të njeriut, internimet, kampet e përqendrimit, censurën mbi mendimin e lirë, mbi artet dhe informacionin masiv. Për gjithçka.
c. Shoqëria totalitare dhe pushteti diktatorial jo rrallë trajtohen si devijime psikopatologjike të drejtuesve të tyre. Në njëfarë mënyre, shoqëria hyn në udhët e trajtimit jo vetëm individualist të totalitarizmit, por edhe në shtigjet e një shpjegimi tërësisht psikopatologjik të tij. Ndodh “psikologjizimi” i dukurisë politike totalitare. Lideri totalitar shqyrtohet në paranojat e veta, nxirren në pah ankthet, frika, psikozat e tij, narcizmi i vet i shfrenuar, pse jo skizofrenia e tij, inkoherenca racionale e sëmurë, sadizmi i spikatur. Shpjegimi thjeshtësohet krejt. Një i “sëmurë mendor”, fati e deshi, në vend të shkonte në kabinetin e një psikopatologu a psikanalisti, mori rrugën e politikës, “infektoi” turmat e pasuesve të tij duke u transmetuar atyre të njëjtat devijime patologjike të personalitetit, duke iu imponuar më pas të gjithë shoqërisë. Totalitarizmi shpesh thuhet ka qenë një “çmenduri” ku është projektuar egoja e sëmurë mendore e liderit paranojak.
Ky libër i konsideron këto tri përpjekje shpjeguese të totalitarizmit të përhapura në shoqërinë pas-totalitare nga intelektualë, studiues, gazetarë, politikanë, etj., jo vetëm si paragjykime. Sigurisht secila prej tyre ka edhe anët e veta të vërteta. Por, këto nuk mjaftojnë aspak për ta shpjeguar si duhet regjimin totalitar. Për më tepër, këto stereotipe jo vetëm krijojnë keqkuptime që do t’i trajtojmë më pas, por kanë edhe anë të dëmshme praktikisht. Po qe se totalitarizmi do të kishte qenë një fakt rastësor, pasojë e energjive psikologjike të një individi të veçantë, rezultat i një “çmendurie” të thjeshtë individuale, atëherë përvoja e hidhur historike e kaluar nën sundimin e tij do të dukej se nuk do të kishte më arsye të thella, rrezik të madh të përsëritej. Do të mjaftonte të ruheshim nga individë me devijime psikopatologjike të ndryshme!!!
Këto paragjykime duken më tepër si pjesë e një propagande “demokratike”, post-totalitare, për t’u ndarë nga regjimi totalitar duke kryer çlirimin e ndërgjegjes së kombit nga çdo lloj “vetëfajësimi” kolektiv. Mbi këtë bazë, edhe vetë propaganda e dikurshme totalitare trajtohet në mënyrë propagandistike. E vërteta e saj mbulohet.
Kush ka nevojë të “vetë-shfajësohet”?
Të mbajmë parasysh që brenda lëvizjeve demokratike dhe anti-totalitare ka pasur drejtues që në të shkuarën kanë qenë të integruar në strukturat apo aparatet e shtetit totalitar, në sektorë të ideologjisë, arteve, mediave, ekonomisë, etj.. Këta individë, pas rënies së shoqërisë totalitare, kanë marrë poste të rëndësishme drejtuese në shtetin demokratik. Ata kanë nevojë të shfajësohen duke e personalizuar përgjegjësinë për bëmat e regjimit komunist në pak duar! Kështu ata çlirohen nga ngarkesa e tyre psikologjike, në njëfarë mënyre “lajnë duart” nga e kaluara, dhe janë gati të vazhdojnë rrugën e pushtetit.
Përpos këtyre, shtresa të tëra nëpunësish, aparatçikësh, militantësh, mësuesish, edukatorësh, ndonëse pa ndonjë përgjegjësi të rëndësishme funksionale në regjimin totalitar, kanë kërkuar t’i kenë “duart e pastra”, dhe të çlirohen nga çdo përgjegjësi dhe “fajësi” për atë që ka ndodhur.
Midis vetë ish-të persekutuarve të regjimit totalitar, të cilët hyjnë në jetën politike ka një interes të shtuar për t’i izoluar te një ose disa individë “përgjegjësitë” e të kaluarës. Kjo ndodh sepse edhe partitë më radikale antikomuniste në një shoqëri të bazuar te zgjedhjet e lira kërkojnë vota nga elektorati i gjerë. Pra, nuk kanë interes ta fajësojnë, të armiqësohen me të.
Dhe më tej akoma, masat e mëdha qytetare, të cilat sigurisht nuk pranojnë asnjë fajësi kolektive, nuk e mbajnë dot mbi supe atë, për pasojë edhe ato priren ta projektojnë përgjegjësinë për gjithçka ka ndodhur në periudhën e shoqërisë totalitare te një person i vetëm që i ka sunduar me zjarr dhe hekur kundër vullnetit të tyre! Shoqëria demokratike post-totalitare në njëfarë mënyre paraqitet se ka ardhur në histori si një shoqëri e një faji të kryer në të kaluarën, por pa fajtorë kolektivë!!!
Faj pa fajtorë!
Gjithsesi, përkundrejt këtij opinioni post-totalitar, ushqyer me paragjykime të përqafuara nga shumica e njerëzve, të kthyera gati në një “tabu” kundër të cilave pothuajse askush nuk guxon të shprehet në mediat e lira post-totalitare, qëndrojnë analiza të thella të atyre studiuesve perëndimorë që kanë hapur horizonte të tjera intelektuale për ta parë të vërtetën në sy.
Kështu Hannah Arendt në veprën e saj kushtuar origjinave të totalitarizmit thekson se Hitleri jo vetëm erdhi në fuqi në vitin 1933 në rrugë “legale”, pra me anë zgjedhjesh, por ai, sikurse edhe Stalini në Bashkimin Sovjetik, nuk do të kishin arritur në ato maja pushteti absolut nëse në periudha të ndryshme nuk do të kishin pasur përkrahjen dhe besimin e masave. Arendt thekson: “Ngjitja në pushtet e Hitlerit ishte legale në termat e sundimit të shumicës dhe as ai, as Stalini, nuk do të mundnin ta zotëronin sundimin mbi popullsinë e gjerë, të arrinin të mbijetonin ndaj shumë krizave të brendshme dhe të jashtme, t’u bënin ballë rreziqeve të panumërta dhe luftërave të pambarueshme brenda partisë, nëse ata nuk do të kishin pasur besimin e masave.”
Në të njëjtën vijë mendimi për sa i përket kësaj çështjeje paraqitet edhe Eric Fromm, i cili kritikon në veprën e tij të njohur botërisht Escape From The Freedom dy paragjykime themelore si ato që kemi përmendur më lart. Ai shkruan: “Fitorja e nazizmit është paraqitur si rezultat i një mashtrimi nga ana e një pakice dhe si ndëshkim mbi shumicën e popullsisë. Nga ana tjetër theksohet se nazizmi mund të shpjegohet vetëm me anë të psikologjisë, ose më mirë me anë të psikopatologjisë. Hitleri paraqitet si një njeri i çmendur ose si një “neurotik” dhe pasuesit e tij po aq të çmendur dhe të çekuilibruar mendërisht... Në këndvështrimin tonë asnjë prej këtyre shpjegimeve që e vendos thelbin te faktorët politikë dhe ekonomikë dhe përjashtimi i atyre psikologjikë – ose anasjelltas – nuk është korrekt.”
Kur vjen çështja te shpjegimi psikologjik, Wilhelm Reich nuk e sheh problemin thjesht te psiqika e sëmurë e liderit, por te rezonanca midis psikikës së tij dhe atyre të masave.
Ai shkruan: “Një “Fyhrer” nuk mund ta bëjë historinë veçse atje ku strukturat e personalitetit të tij përputhen me strukturat – të trajtuara nga pikëpamja e psikologjisë së masave – e shtresave të gjera të popullsisë... Kjo është arsyeja se përse do të ishte gabim t’ia dedikonim sukseset e Hitlerit përjashtimisht demagogjisë së nacional-socialistëve, “verbërisë” së masave, “psikozës naziste”, të cilat nuk të thonë asgjë prej gjëje...
Paraqet interes të dihet se përse masat mundën të mashtrohen, të verbohen, të nënshtrohen ndaj këtyre prirjeve psikotike. Aty është problemi, i cili nuk mund të zgjidhet nëse nuk dihet se çfarë ndodh në ndërgjegjen kolektive të masave.
Nëse në një mënyrë apo në një tjetër në mekanizmin e pushtetit totalitar janë implikuar edhe masa të gjera njerëzish, pyetja vjen vetiu:
Si kanë arritur lëvizjet ose pushtetet totalitare të ushtrojnë ndikim te masat e gjera të popullsisë? Këtu ka nevojë për rrjedhojë të vijmë te çështja e propagandave totalitare.
(Pjesë nga "NJERIU FËMIJË")