Erdhi në Shqipëri me interpolin, kthehet pas 16 vitesh: Më ngjan me Siçilinë

Polici italian, i cili tashmë punon si shkrimtar, Giuseppe Monforte ose siç njihet ndryshe me pseudonimin e tij Gianni Palagonia i ftuar në emisionin “Jeto me Orën” na rrëfeu për jetën e tij aspak të lehtë.

Ai ka pasur një jetë shumë të ndërlikuar sepse të punosh me mafiozë është diçka shumë e vështirë, por njëkohësisht ka qenë e bukur dhe sfiduese.

Ai u shpreh se “Unë kam pasur një jetë shumë të vështirë sepse kur përballesh me mafiozë , ti nuk e di se çfarë të pret, është gjithmonë një surprizë sepse ata të njohin dhe mund të të sulmojnë papritur, kështu që jeta ime ka qenë gjithmonë e rrezikuar”.

Sfida e tij më e madhe ka qenë ta çojë misionin e tij deri në fund duke arrestuar kriminelët. 

Sipas tij dashuria është fjala kyçe e cila bën bashkë të gjitha fushat e jetës. Ai na rrëfeu se familja për të është shumë e rëndësishme, por kur ke një profesion të tillë si ajo e policit ndodh që ta lesh edhe pas dore.

Ai ka ardhur në Shqipëri në vitin 2006 me një mision nga interpoli. Ai na tregoi gjithashtu se dashuria për Shqipërinë dhe shqiptarët ka një vend të veçantë në zemrën e tij. Giuseppe jeton mes Italisë dhe Shqipërisë. 

Në atë kohë kur erdhi në Shqipëri nuk kishte as drita dhe kjo gjë Giuseppes i bënte shumë përshtypje pasi në Itali nuk ndodhnin të tilla gjëra.

Monforte, i cili tashmë punon si shkrimtar tregoi edhe për librin e tij “Heshtja” i përkthyer dhe në gjuhën shqipe të cilin e ka shkruar me pseudonimin e tij.

Ky libër është biografi dhe gjithçka është reale. Atij i është dashur të ndryshojë edhe emrin për shkak se e kanë kërcënuar.

Monforte  u largua dhe nga Sicilia vendi ku kishte lindur dhe ishte rritur në  një qytet tjetër. Ai që e njohu fillimisht me emrin e tij të vërtetë ishte populli shqiptar. Suksesi i librit të tij ishte shumë i papritur për të. Ai ka edhe një surprizë për të ardhmen sepse libri i tij i ardhshëm do shkruajë për jetën që ka kaluar në Shqipëri.

Ne në Shqipëri jemi shumë të njohur me filmat italianë me mafian dhe për këtë arsye libri i tij ka pasur shumë sukses këtu në vendin tonë. Ajsela Koka përkthyesja e librit “Heshtja” na tregoi se ajo e kishte shijuar shumë pasi në çdo kapitull të tij ka një histori të re.