Rriten çmimet, varfërohen shqiptarët, eksperti: Problem inflacioni dhe informaliteti i tregjeve
Tregjet globale dhe ato vendase po përballen me një valë të rritjes së çmimeve, që erdhi si "cunam" në të gjithë artikujt njëkohësisht, që nga hekuri, gruri, nafta, kauçuku, energjia, vaji, kafeja, sheqeri e deri te buka.
Rezart Prifti, ekspert ekonomie i ftuar në RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj tregoi faktorët që kanë ndikuar në rritjen e menjëhershme të çmimeve në vendin tonë.
Prifti: Një nga faktorët kryesorë për rritjen e çmimeve është rritja e kostove të transportit detar ndërkombëtar. Ne e importojmë rritjen e çmimeve. Problemi kryesor ka qenë importimi i rritjes së çmimeve. Aspekti i dytë ka të bëjë me mekanizmat dhe me operimin e tregut shqiptar. Këtu kemi një rritje të inflacionit dhe problemi i parë është që është i padeklaruar. Është e pamundur që ti të deklarosh 3% inflacion, qoftë edhe 4% në kushtet që ne jemi sot. Kjo lidhet dhe me metodologjinë e përllogaritjes së inflacionit që INSTAT nuk i llogarit produktet. Unë nuk e kuptoj se si matet inflacioni kur ti nuk e llogarit bukën apo atë që të ushqen sepse aty ndihet efekti i parë i gjithë këtij cikli. E dyta është pjesa e informalitetit të tregut që është në Shqipëri. Në 2-3 vitet e fundit që Shqipëria De Fakto do ishte në krizë industria e vetme që e shpëtoi ishte e ndërtimi dhe vazhdoi të rritej cikli i çmimeve edhe në industrinë e ndërtimit.
Inflacioni për hir të së vërtetës është shumë më i lartë nga sa publikohet dhe shumë më i dëmshëm. Unë e vlerësoj te 6%.
A do të jetë kostoja e energjisë më e lartë për qytetarët në të ardhmen?
Prifti: Shqipëria është një vend që mbi 84% të nevojave energjitike i përmbush nga burimet e brendshme dhe unë nuk e kuptoj se çlidhje ka kaskada e Drinit me tregjet ndërkombëtare. Këto janë gjëra sureale. E dyta unë do t'i referohesha aspektit të menaxhimit. Përherë ka qenë problem menaxhimi i energjitikës dhe krizës energjitike shqiptare. Ne kemi shitur energji me 25 euro kilovat/ora dhe e kemi blerë 320 euro kilovat/ora. Çdolloj tregtari nuk i bën sens kjo. Problemi i tretë është që ti i thua të gjitha bizneseve të dalin në treg por nuk ka treg dhe infrastrukturë ligjore.
Sa të mbrojtur jemi si konsumatorë përballë luhatjes së çmimeve?
Prifti: Ka Ente të cilat merren me këtë punë. Është Enti i energjitikës dhe De facto jemi të mbrojtur sepse është Enti, De jure nuk jemi të mbrojtur. E gjithë skema që po bëhet po bëhet për të rritur deri diku çmimin e energjisë elektrike.
Subvencionet për fermerët
Prifti: Shqipëria si vend bujqësor është akoma në një fazë pre-primitive. Përllogaritja e fundit e disa raporteve që kishte të bënte me krizën e madhe të fuqisë punëtore në bujqësi, pjesën e rënies me 24% të prodhimit të tokave bujqësore tregon se sa të efektshme kanë qenë masat e marra vitet e fundit. Nëse ti hedh miliona euro në këtë lloj industrie dhe të gjithë indikatorët janë negativë, diçka nuk shkon. Pjesa bujqësore ka mungesë vizioni dhe politika janë primitive komplet të gjithë. Ka dhe një problem tjetër që ka të bëjë me fermerët. Ti si fermer do prodhosh atë që të thotë mbledhësi.
Eksperti foli dhe për pasojat që ka rritja e çmimeve për ekonominë tonë. Ai tha se për ekonominë shqiptare pasojat janë të frikshme sepse ne nuk kemi një strukturë të qëndrueshme që t'i bëjë ballë këtyre rritjeve. Më tej ai tha se rritja e çmimeve prek së pari shtresën në nevojë dhe ata nuk kanë as kursime. Sipas tij, në Shqipëri rritja e çmimeve prek mbijetesën.

