Subashi dhe Bllako në SPAK, Shalsi: Qëndrimi i PS-së i qartë, nuk bëhemi mburojë e askujt!
Ministri socialist Eduard Shalsi në një dalje për mediat u shpreh se Partia Socialiste është distancuar në një farë mënyre nga deputeti Alqi Bllako dhe kryebashkiaku Armando Subashi.
Këta të fundit janë të marrë në pyetje ditën e sotme nga prokuroria e posaçme SPAK mbi aferën e inceneratorëve.
Shalsi shtoi se qëndrimi i PS është i qartë dhe i paekuivokë se mbështet drejtësinë dhe nuk bëhet mburojë e askujt që ka probleme me ligjin.
Shalsi: E thashë që ne jemi iniciuesit e reformës në drejtësi, kemi deklaruar qartazi që PS nuk bëhet mburojë për askënd që ka probleme me ligjin. Këtë e kemi dëshmuar me vepra, ndryshe nga kohët kur prokurorët shantazhoheshin, gjykatësit anatemoheshin, apo gjuha krejtësisht e palejueshme e Sali Berishës. Kemi dy kohë, njërën kur pengohej drejtësia të bënte punën e saj, dhe tani që drejtësia inkurajohet të bëjë punën e saj. Qëndrimi ynë është i qartë dhe i paekuivokë, mbështesim vetëm drejtësinë.

