Armando Subashi tre orë në SPAK për incineratorin e Fierit, Kryebashkiaku: Jam i gatshëm që të vij sërish!
Kryetari i bashkisë së fierit është marrë në pyetje nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion për nënshkrimin e kontratës së inceneratorit me vlerë 28 milionë euro.
Armando Subashi është paraqitur në SPAK para prokurorit Dritan Premçi rreth orës 13 , si person në dijeni.
Mësohet se atij i janë kërkuar të dhëna rreth paraqitjes së ofertës, procedurave të ndjekura nga bashkia, shpronësimet por dhe konsultimet që janë zhvilluar me banorët e zonës.
Marrja në pyetje ka përfunduar pak pas orës 17 dhe para kamerave, Subashi nuk pranoi të japte detaje.
Subashi: Për incineratorët isha. E di prokuroria nëse do pyetëm sërish. Isha aty 2 ose 3 orë. Nuk do të përgjigjem sepse gjërat janë pjesë e hetimet. Unë jam i gatshëm të pyetëm sërish. Nuk ka asnjë problem në këtë pikë.
Më herët opozita ka akuzuar se Subashi ka miratuar procedura pa marrë vendimin e këshillit bashkiak si në rastin e shpronësimit të tokës, e cila në zërin kadastral është arë, por është paguar si truall.
Po ashtu dhe shpallja e emergjencës mjedisore është cilësuar si një veprim në shkelje dhe pa respektuar institucionet e tjera vendimmarrëse.
Hetimet sa i përket incineratorit të fierit që ka një vlerë prej 28 milionë eurosh dhe të landfillit të Tiranës po kryesohen nga prokurori Premçi i cili gjithashtu ka marrë në pyetje dhe zyrtarë të tjerë.
Mes tyre edhe deputeti Alqi Bllako në cilësinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit. Për këtë të fundit opozita është shprehur se babai i tij ka qenë i punësuar me page 10 milionë lekë në një nga incineratorët
Sa i përket Elbasanit hetimet po drejtohen nga Klodian Braho, me dosjen e të cilit u vu në pranga dhe nën akuzë ish ministrit Lefter Koka.
Tashmë do të pritet konkluzioni i dy kontratave të tjera për të parë atë që konsiderohet afera e 30 vjeçarit të fundit në Shqipëri.

