Basha: Po qajnë në komision se kanë hedhur firmën për incineratorët, kanë vjedhur 430 mln €

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një takim ditën e sotme në qytetin e Rrogozhinën, ku prezantoi kandidatin e PD-së Ferdinand Saraçi.

Basha u shpreh nga ky  qytet se në komisionin e inceneratorëve, para të gjithë shqiptarëve njerëzit po qajnë kur ballafaqohet me faktet se si i kanë detyruar të hedhin firmën për t’iu vjedhur shqiptarëve 430 milionë euro.

Ai theksoi se komisioni i Inceneratorëve, provoi atë që ka 6 vite që e denoncon opozita dhe se kauza e tyre është e vërtetë.

Basha: Po e shikojmë ditë për ditë se në çfarë na kanë katandisur. E shikoni në Komisionin e inceneratorëve, para të gjithë shqiptarëve si qajnë një 50, 60-vjeçare kur ballafaqohet me faktet se si i kanë detyruar të hedhin firmën për t’iu vjedhur shqiptarëve 430 milionë euro. Kanë vjedhur edhe ata vet, edhe paratë e tyre i kanë vjedhur se rrogëtarë janë një pjesë e mirë e tyre. Nuk i kanë përfituar ata paratë, por i kanë detyruar. Deri këtu është depersonalizuar administrata shtetërore, me vetëdije apo pa vetëdije, kanë firmosur t’iu hiqet buka e gojës vogëlushëve shqiptarë.

T’iu hiqen paratë e ilaçeve pensionistëve shqiptarë, t’u hiqet ndihma minimale fermerëve shqiptarë, që sot me letra marrin 10 herë më pak subvencione sesa fermerët e Kosovës që dje festoi 14 vjetorin si shtet i pavarur. Po them me letra, sepse e dimë faktikisht që ato nuk arrijnë tek fermerët. E pra, Komisioni i Inceneratorëve, provoi para syve të të gjithë shqiptarëve atë që kemi 6 vite që e denoncojmë. Kauza jonë është e vërtetë, është e drejtë, shqiptarët po e kuptojnë ditë për ditë se si është ndërtuar kjo skemë, kjo fabrikë që nuk djeg plehra por djeg paratë e shqiptarëve, popullit me të varfëruar nën regjimin e Edi Rames.