"Zhduket" shefja e incineratorit, Administratori i Fierit s`ka dokumente se ku kanë shkuar paratë

Administratorja e incineratorit të Tiranës, Arjola Kodra ka refuzuar për herë të dytë paraqitjen për të dëshmuar në komisionin hetimor. Kryetarja e komisionit Jorida Tabaku i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme që të marrë masa pasi Arjola Kodra mund të largohet nga vendi.

"Unë i kërkoj SPAK dhe institucione përgjegjëse të marrë masa që të mos na largohet si ato zotërinjtë që u larguan”

 Thirrja e Tabakut erdhi pasi ajo ka paralajmëruar disa herë administratoren e kompanisë Integrated Energy BV SPV që të paraqitet për të ridëshmuar ose do të merret me forcë nga organet policore.

Administratori i inceneratorit të Fierit, Loran Dusha dëshmoi para komisionit përmes lidhjes online, pasi tha se ishte infektuar me COVID-19.

I pyetur nga deputetët e opozitës për çfarë janë shpenzuar 23 milionë euro, Dusha tha se nuk ka dokumente për të dhënë një përgjigje zyrtare, por shtoi se mund të jenë shpenzuar për nënkontraktorët e huaj.

"Nuk mund tjua them se nuk kam asnjë dokument por mund të jenë bërë pagesa per agregatret e incineratorit"

Ndërsa sa i përket shpenzimeve për fluturimet, sipas tij janë udhëtimet e personelit për të kontaktuar me nënkontraktorët.

Dëshmitari u pyet për pagën e lartë të paraardhësit të tij si administrator i incineratorit të Fierit, Arenc Myrtezani.

Loran Dusha deklaroi se ka mospërputhje shifrash me kryetaren e komisionit por shtoi se paraardhësi I tij ka përfituar një bonus për punë të mirë.

"Arenc Myrtezani e ka pagën më te vogël se paga ime. Në janar 2021 ka marrë një bonus" tha Dusha.

Debatet në Komisionin Hetimor mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës vijuan për marrjen e dëshmive ose jo të anëtarëve të Komisioneve të Prokurimit të incineratorit të Tiranës dhe Fierit. Ato janë thirrur nga SPAK në cilësinë e dëshmitarit dhe pretendojne se nuk mund të flasin përsa kohë që hetimi vazhdon.