Afera me incineratorin i Fierit, Armando Subashi dhe Alqi Bllako merren në pyetje nga SPAK

Kryetari i bashkisë së fierit është marrë në pyetje për rreth tre orë në strukturën e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për nënshkrimin e kontratës së inceneratorit me vlerë 28 milionë euro.

Armando Subashi është paraqitur në SPAK para prokurorit Dritan Premçi rreth orës 12 e 30, si person në dijeni.

Mësohet se atij i janë kërkuar të dhëna rreth paraqitjes së ofertës, procedurave të ndjekura nga bashkia, shpronësimet por dhe konsultimet që janë zhvilluar me banorët e zonës.

Më herët opozita ka akuzuar se Subashi ka miratuar procedura pa marrë vendimin e këshillit bashkiak si në rastin e shpronësimit të tokës, e cila në zërin kadastral është arë, por është paguar si truall.

Po ashtu dhe shpallja e emergjencës mjedisore është cilësuar si një veprim në shkelje dhe pa respektuar institucionet e tjera vendimmarrëse.

Ndërkaq në raportin e paraqitur prej KLSH rezulton se në fier janë protokolluar vetëm dy takime nga tre të realizuara. Por edhe në to nga 33 persona pjesa më e madhe kanë qenë punonjës të administratës.

Hetimet sa i përket incineratorit të fierit që ka një vlerë prej 28 milionë eurosh dhe të landfillit të Tiranës po kryesohen nga prokurori Premçi i cili gjithashtu ka marrë në pyetje dhe zyrtarë të tjerë.

Mes tyre ishte dhe deputeti Alqi Bllako për të cilin opozita është shprehur se babai i tij ka qenë i punësuar me page 10 milionë lekë në një nga incineratorët

Sa i përket Elbasanit hetimet po drejtohen nga Klodian Braho, me dosjen e të cilit u vu në pranga dhe nën akuzë ish ministri Lefter Koka.

Tashmë do të pritet konkluzioni i dy kontratave të tjera për të parë nëse për atë që konsiderohet afera e 30-vjeçarit të fundit në Shqipëri.