Nafta 200 lek dhe bosh nga Tirana, taksistët e Elbasanit në protestë: Po falimentojmë
Çmimi i naftës ka arritur vlerën rekord prej gati 200 lekësh për litër prej disa javësh, ndërsa frika është se rritja do të vijojë.
Drejtuesit e mjeteve e konsiderojnë të papërballueshëm.
Por ata që punojnë në sektorin e transportit, thonë se po rrënohen ekonomikisht ndaj taksistët e Elbasanit dolën në protestë.
Pavarësisht rrezikut të falimentimit thonë se deri tani koston e shtuar nuk po e shkarkojnë tek qytetarët duke rritur shërbimin.
Por nuk e përjashtojnë mundësinë e rritjes së biletës por kanë frikë se pasagjerët do të shkojnë tek informalët që i sfidojnë çdo ditë.
Sjellja e bashkisë së Tiranës është kthyer shqetësim më vetë për taksistët e Elbasanit.
Thonë se sa herë që dërgojnë pasagjerë në kryqytet, duhen të kthehen bosh, pasi përndryshe gjobiten.
"Do e mbyllim të gjithë se është e pamundur."
"Kam 8 vite që punoj taksi, tani jam drejt mbylljes. Probleme kemi dhe me taksitë e fshatrave. Punojnë në qytet që nuk u lejohet. Asnjë nuk dëgjon hallet e taksixhinjve, jemi të mbaruar. Të licencuar në Elbasan mund të jenë 100 taksi, të palicensuar 300, autoritetet i kanë të gjithë informacionet, targat dhe nuk veprojnë. Kthimi pa pasagjerë nga Tirana na penalizon. Një invalid për të shkuar në Tiranë duhet të marrë dy taksi. Kam marrë dy herë gjoba nga bashkia e Tiranës. Polici i bashkisë më ka treguar te TEG-u të zbres nga makina një invalid."
Punonjësit e sektorit të transportit kërkuan nga Bashkia e Elbasanit të ndërmjetësojë për zgjidhjen e këtyre problematikave.

