"Jo drejtuesve të importuar", Premtim Kryemadhi: Ministrat janë turrur në Dibër për të mbështetur kandidatin e PS-së

Ish-kryeministri Sali Berisha ishte sot në Maqellarë për të mbështetur fushatën e Premtim Kryemadhit, kandidatit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë” në zgjedhjet e 6 Marsit.

Në fjalën e tij para qytetarëve të Maqellarës, Kryemadhi tha se PS është në panik.

Pa nisur ende fushata zyrtarisht, ai tha se në mbështetje të kandidatit socialist kanë zbarkuar në Dibër nga drejtorët e deri te ministrat.

“Në 7 vite, Dibra ka ndërruar 5 kryetarë bashkie, - tha ai, - pra çdo vit ne kemi qenë në zgjedhje. Jo vetëm kryetarë bashkie, por edhe një fenomen tjetër: ne udhëhiqemi nga njerëz që na vijnë nga Tirana jo vetëm për bashkitë, por edhe për drejtoritë rajonale: drejtor policie, drejtor dogane, drejtor spitali…Po dibranët ku janë? Ku janë, që të drejtojnë këto funksione?!

A keni parë këto ditë se si është turrur e gjithë administrata, duke filluar nga ministrat, Manja dhe Balluku, me drejtorë, prefektë, nënprefektë, kryetarë bashkie, për të mbështetur këtu kandidatin e PS-së?! I ka kapur paniku, kanë frikë. Nuk kanë frikë Premtimin por ju sepse gjithë këto vite nuk qeverisën. Dhe si ndryshohet gjendja?! Këto ditë nuk duhet ndaluar, duhen takuar njerëzit dhe në datën 6 Mars t’i japim ndryshimin këtij vendi.

Këto zgjedhje janë të veçanta. Mandati është vetëm 1 vit e disa muaj. Natyrisht unë nuk mund të premtoj mrekulli për një mandate kaq të shkurt, por rëndësia është tek ndryshimi që do të vijë për të gjithë Shqipërinë, që nuk erdhi për faj të marrëveshjeve që kanë ndodhur. Ky ndryshim është i rëndësishëm, që të zbardhet i gjithë aktiviteti i bashkisë Dibër. E dini që është një-shi i borxhit publik dhe ka një person që mban përgjegjësi për këtë.”