“Streha” e shqiptarëve në Fishtë, instalacioni përkujton eksodin gjatë luftës së Kosovës në 1999
Eksodi i shqiptarëve të Kosovës i vitit 1999 është përjetësuar me një instalacion artistik në Fishtë të Lezhës, aty ku në ata ditë të vështira u strehuan rreth 2000 persona. E quajtur "Streha", vepra është një dëshmi për të mos harruar të shkuarën, por dhe shpresën për të ardhmen.
Rreth 2 mijë shqiptarë të Kosovës u strehuan në kampe në Fishtë dhe Krajen të Lezhës gjatë eksodit të detyruar nga ushtria serbe në vitin 1999.
"Ato pak të mira metariale që i kishin në çdo moment e shfaqën gatishmërinë ti ndajnë me ne. Banorët vendas dolën me qëndrimin: Ju do rrini këtu dhe do i ndajmë shtëpitë tona me ne".
Kujtimet e atyre ditëve janë ende të freskëta tek ata që iu larguan luftës dhe ata që i mirëpritën.
"Të gjithë librat e shkollës së Troshanit i sollëm këtu, në këtë objekt vendosim një çadër që do luante rolin edhe të shkollës."
23 vite më pas, aty ku ngrihej kampi i Fishtës, është ngritur ky instalacion monumental.
Është quajtur “Streha”.
Është realizuar me iniciativen e sipërmarrësit Altin Prenga dhe konceptimin e artistit Bib Frrokaj.
Dëshmon të shkuarën e vështirë, por dhe shpresën për të ardhmen.
"Streha" tenton të mbetet një përkujtimore e atij kampi të përkohshëm që u ngrit në pranverën e vitit 1999 pikërisht këtu dhe ka për qëllim të krijojë një semiotikë lidhëse mes kujtesës së tanishme dhe fakteve të pamohueshme të së kaluarës.

