Manipulimi me incineratorin e Fierit, dëgjesa fiktive për projektin 28 milionë euro. Ora News disponon raportin konfidencial të KLSH
Koncesioni i incineratorit të Fierit është miratuar nga bashkia edhe pa marrë mendimin e banorëve të zonës.
Madje shkeljet shkojnë edhe më tej. Në dokumenta rezulton se janë realizuar tre takime për të diskutuar mbi kontratën që kap vlerën e 28 milionë eurosh, konkretisht në fshatrat Vajkan, Vërri dhe Kallm.
Por në realitet gjithçka është ndryshe. Nga fotot e paraqitura rezultojnë vetëm dy takime. Sipas materialeve të konsideruara konfidenciale, por që televizioni Ora News i disponon, në një konsultim kanë marrë pjesë vetëm 13 persona në datën 20 mars 2017 dhe tre ditë më pas një tjetër diskutim me 20 pjesëmarrës.
Por ajo çfarë është më e rëndë është fakti se shumica e pjesëmarrësve kanë qenë punonjës të administratës.
“Pjesa më e madhe e tyre janë punonjës institucionesh dhe jo pjesëmarrës nga komuniteti i banorëve që preken nga investimi çka sjell jnë siguri të arsyeshme që këto dëgjesa kanë qenë thuajse fiktive”, thuhet në materialin konfidencial të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Madje për këtë auditim janë informuar kryetari I bashkisë së fierit, por edhe drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar
Pikërisht kundër projektit ka pasur edhe protesta të banorëve gje që solli ndryshimin e vendit të ndërtimit të incineratorit.
Gjithashtu KLSH shprehet se për projekte të tilla duhet të realizohen 10 projekte për të zgjedhur më të mirin. Në terren rezulton të ketë pasur vetëm dy, ku për të parin ka të dhëna dhe kur është realizuar dhe për tjetrin nuk ka asnjë datë.
Tashmë materialet i ka në shqyrtim Struktura e Posaçme Antikorrupsion , e cila ende nuk ka dalë në konkluzionin përfundimtar.



