Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, Rama: Nuk kemi fuqi materiale por do të sjellim vlerat tona në OKB

Kryeministri Edi Rama, para anëtarëve të Këhshillit të Sigurimit në OKB, nuk ka arritur të fshihte emocionet gjatë pritjes së organizuar nga Shqipëria në New York.

Mandati i përkohshën në këtë Këshill nuk është vetëm një arritje për vendin tonë, por sipas Ramës, ky vendim është një ëndërr e bërë realitet në karrierën e tij politike.

Rama: Vetëm një imagjinatë pa fre do kish guximin ta ëndërronte diçka të tillë veç tri dekada më parë. Madje dyshoj se edhe imagjinata më e shfrenuar nuk do kish qenë dot aq e shfrenuar sa ta ëndërronte këtë tri dekada më pare. Asokohe, Shqipëria ishte një bunker në terr. Për thuajse gjysmë shekulli, ajo u zvarrit nën një nga regjimet komuniste më shtypëse në Europë, që e bëri vendin tonë, më duhet ta them, Korenë e Veriut të Europës.

Ndryshe nga fjalimet e tij politike në Shqipëri, para zyrtarëve të OKB-së kryeministri Rama tregoi modestinë e fuqisë së vendi tonë përpara fuqive të mëdha.

Rama: Ne nuk i sjellim fuqi materiale Këshillit të Sigurimit-së paku, jo tani – por nuk është fuqia ajo çka i mungon Këshillit të Sigurimit. Ne jemi angazhuar të sjellim zërin, vlerat dhe normat tona në punën e përbashkët të Këshillit të Sigurimit, si kontribut për paqen. Ne dëshirojmë të ndajmë me të tjerët përvojat e jetuara, mësimet e marra.

Shqipëria, sipas Ramës, në këtë mision dy vjeçar do të jetë një zë për vendet që kanë nevojë për kontributin e Këshillit të Sigurimit.

Në fjalën e tij Kryeministri shqiptar solli në vëmendje detyrën e vendit tonë gjatë periudhave të vështira për të gjithë botën.

Rama: U kemi hapur shtëpitë dhe zemrat atyre që kanë nevojë për shpëtim dhe strehë; qofshin ata hebrenjtë gjatë Holokaustit, apo për gjysmë milionë kosovarë, që iknin nga spastrimi etnik i regjimit mizor të Sllobodan Milosheviçit. apo mijëra pjesëtarë të MEK-ut, që janë strehuar të sigurt në Shqipëri dhe, me së fundi, mijëra afganë që u arratisën nga reprezaljet e talibanëve.

Në fjalimin e tij, nuk munguan rreshta të ngjashëm me kohën kur drejtonte OSBE-në, në të cilat kërkoi nga Këshilli i Sigurimit që përveç synimit të paqes dhe sigurisë, duket të ketë objektiv drejtësinë dhe llogaridhënien, si e vetmja mënyrë për të shkuar drejt pajtimit.