Vakancat në institucion, Komisioni për Mediat përzgjedh 6 kandidatët për anëtarë të AMA-s

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik përzgjodhi të hënën 6 kandidatë për vendet vakante në Autoritetin e Medias Audiovizive.

BIRN mësoi nga dy deputetë anëtarë të Komisionit se nga një listë e gjatë kandidatësh për votim në seancë plenare kaluan emrat e Aurela Bicja, Besjan Zogaj, Desada Metaj, Gjergj Hamiti, Jetmir Halilaj dhe Joana Allushi.

Besion Ajazi, deputet i Partisë Socialiste dhe anëtarë i komisionit, i tha BIRN se për 6 kandidatët pati dakordësi mes palëve.

Ajazi tha se procedura e ndjekur ishte ajo e eliminimit, kur opozita dhe socialistët patën të drejtë të eliminonin kandidatë, deri sa u mbërrit në listën me 6 veta që do i kalojnë kuvendit për votim.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa. “Vijuam sipas procedurave ligjore duke eliminuar një herë ata një, një herë ne një, derisa ngelen 6 kandidaturat që do i kalojmë në seancë”, tha Zhupa.

Ajazi tha se kandidaturat e kaluara për votim kishin mbështetjen politike të palëve.

“Patjetër duhet një mbështetje politike”, tha Ajazi në një bisedë telefonike. Ai tha se procedura ishte bërë bazuar në një ligjin e bërë me asistencë nga BE.

Ashtu si një listë organesh të tjera të pavarura, votimi për të cilat kërkon kompromis mes palëve, edhe për AMA modeli i përzgjedhjes së anëtarëve më shumë se sa të garantojë pavarësi të institucionit nga politika, ganton që ai të jetë bipartizan.

AMA ishte që prej vitit 2019 me 3 vakanca, ndërsa 3 të tjera u krijuan në vitin 2021. Disa përpjekje të shumicës për të plotësuar ato gjatë legjislaturës së kaluar pa praninë e opozitës zyrtare dështuan, ndërsa u akuzuan si përpjekje për marrje kontrolli.

Megjithatë në qershor të vitit të kaluar, pavarësisht kontestimeve nga organizatat e medias, shumica socialiste procedoi duke përzgjedhur Armela Krasniqin, ish-drejtoreshë e Komunikimit të kryeministrit Edi Rama nga krye të autoritetit./ BIRN