Shkodër/ Vrau Prekë Tonajn brenda lokalit, arrestohet autori i dyshuar, policia zbardh motivin e krimit
Eduart Kësolla, 30 vjeç, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re, është arrestuar ditën e sotme pasi dyshohet si autor i vrasjes se Prekë Tonajt, mbrëmjen e djeshme (13 shkurt) në Shkodër.
Policia bën me dije se arrestimi i tij pasi akuzohet se ka vrarë 47-vjeçarin, për motive gjakmarrjeje.
“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në ambientet e një lokali, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, 47-vjeçari Prekë Tonaj, kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.”- njoftoi policia.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, strukturat hetimore të DVP Shkodër vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:15 mbrëmjen e djeshme, ku Tonaj u ekzekutua në ambientet një lokali në qendër të fshatit.
47-vjeçari, Prek Tonaj, i vrarë në Shkodër, dyshohet se u ekzekutua në vijim të një sage hakmarrjesh mes fiseve.
Saga e hasmërisë nisi gjatë komunizmit.
Nikollë Tonaj, është vrarë në burg nga Pal Ksolla para ndryshimit të regjimit, ndërsa ky i fundit u ekzekutua në vitin 1996 nga anëtarë të fisit Tonaj.
Në 2011 u vra Zek Tonaj, dhe u plagos babai i tij, ku autorët në këtë rast dyshohen nga fisi Hasanaj.
Konflikti asokohe kishte nisur për çështje votash në zgjedhje.
Në vitin 2011, ai ishte arrestuar bashkë me të atin dhe një person tjetër pasi sipas policisë po planifikonin vrasjen e anëtari të fisit Hasanaj.
47-vjeçari Prek Tonaj punonte në ndërmarrjen Ujësjellës- Kanalizime Shkodër, ishte i martuar dhe baba i 4 fëmijëve.

