"Ura e Paskuqanit" në protestë kundërshton shembjen e shtëpive: Çohuni ta zhdukim këtë racë të keqe!

Banorët e "Urës së Paskuqanit", pasditen e 14 shkurtit kanë zhvilluar protestën e radhës kundër projektit për shembjen e shtëpive.

Atyre i është bashkuar në kauzën e tyre edhe "5 Maji" dhe Lapraka, të cilët gjithashtu preken nga i projekti i rindërtimit.

Forcat e Shqiponjave dhe Policia mësohet se janë në gatishmëri për të shmangur incidentet dhe për të menaxhuar situatën me automjetet në mënyrë që të vijojë lëvizja e tyre.

Sipas banorëve, projekti është devijuar.

"Ne nuk e dimë me kë luftojmë. Me kë të luftojmë? T'i biem vëllai-vëllait? Se vëllai ynë do vijë të na prishë shtëpinë. Kujt do t'i biem ne? Na bëri armiq të vëllait ai kriminel i Shqipërisë. Çohuni në këmbë e ta zhdukim këtë racë të keqe! Racë e poshtër, poshtë fashistët! Qelbësirat," shprehet një banor.

"Është devijuar projekti. Kjo bandë bën çfarë të dojë. Tiranën nuk e kanë shkatërruar ndërtimet pa leje, e kanë shkatërruar ndërtimet me leje. Edi Rama dhe Erion Veliaj, 2 varrmihësit e këtij kombi," thotë një tjetër.

Banorët prej muajsh po kundërshtojnë shembjet e shtëpive pasi sipas tyre nuk kanë asnjë marrëveshje me bashkinë dhe nëse lirojnë shtëpitë mbeten në qiell të hapur.