Mizoritë e kampit të Tepelenës, ekspozitë në kujtim të fëmijëve dhe grave që u torturuan në këtë kamp
Fëmijët që s’u rritën kurrë, ata që nuk dihet se ku prehen, qindra të tjerë që u torturuan dhe panë mizoritë me sy, tanimë janë përjetësuar në një ekspozitë të përhershme në zonën ku ngrihej ish-kampi famëkeq i Tepelenës.
Kampi njihet kryesisht për numrin e lartë të grave dhe të fëmijëve që mbaheshin aty.
Sipas të dhënave 1163 fëmijë dhe 1254 gra ishin internuar aty gjatë kohës së Komunizmit.
E pranishme në këtë eveniment, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës tha se ndjen keqardhje për gjithçka që kishte ndodhur në këtë vend.
Kim: Teksa ndodhem këtu me ju sot, mund ta kuptoj edhe më qartë atë që më tha nëna ime kur një fëmijë në moshë me mua vdiq para shumë vitesh. Ajo më tha se kur vdes një prind atë e varrosin nën dhe, dhe kur vdes një fëmijë ai fëmijë varroset në zemrën e prindit. Dhe për ata fëmijë të ngratë që patën fatkeqësinë, t’i varrosim ne zemrat tona.
Familjarët e atyre që përjetuan vuajtjet e kampit treguan se sa mizor ishte trajnimi, por ndanë edhe zhgënjimin për demokracinë.
"Gjyshin, gjyshet, dy tezet, dajën. Me ardhjen këtu po kujtoj dhe vitet e mia, jetën e vështirë, gjellën në kazan, bukë misri. Jemi kthyer mbrapa edhe një herë, jemi më keq se në '90."
Ish-kampi i Tepelenës qëndroi aktiv prej prillit të 1949 deri në mars 1954 ndërsa për mizoritë e tij ai zuri vend edhe në raportin e qeverisë së SHBA paraqitur në OKB në shkurt të vitit 1955.






