Dashuria që i rezistoi të gjitha kohërave, historia emocionuese e çiftit që kanë 61 vite bashkë

Ka dashuri që nisin që nga e qara në djep, që nisin si shaka, trajtohen si një lojë ruhen si shoqëri e shenjtë.

Dhe forcohen e krijojnë atë që quhet familje. E tillë është dhe historia e Murat Bardhit 82 vjeç dhe zonjës Lahe 77 vjeç  çiftit të cilët kanë 61 vite bashkë duke i rezistuar çdo kohe dhe vështirësie.

Historia e tyre nisi shumë vite më parë. Në vitin 1943 familja e Muratit u largua nga Peza për tu strehuar në familjen e Lahes në Peqin kur ajo ende nuk kishte ardhur në jetë.

"Ne na ka strehuar familja e këtyre 1 muaj gjatë luftës," thotë zoti Murat.

Dy familjet e mbajtën miqësinë dhe vendosen ta forcojnë më tepër.

"Krijuan një farë lidhje të parët tanë dhe kishin qejf ta vazhdonin. Po shikonin që po rritej kjo goca e bukur atje," thotë zoti Murat duke qeshur.

Nënë Lahe në atë kohë ishte 9 vjeç dhe Murati 14 dhe që atëherë familjet vendosën që të krijonin miqësi.

"9 vjeç kam qenë, ky 14. Na kanë rregulluar gjyshërit," thotë zonja Lahe.

Ne vitin 1958 u zyrtarizua fejesa, e sot ata janë prindër të 3 fëmijëve dhe janë bërë gjyshër.

"Kemi kaluar shumë mirë. Kemi rritur 3 fëmijë me halle e probleme, pro shyqyr kanë marrë drejtim të mirë," thotë zonja Lahe.

Zoti Murat thotë se edhe janë zënë.

"Patjetër," thotë duke qeshur.

Mesazhi i tyre sot shkon për të gjithë të rinjtë.

"Të duhen sa më shumë, se ky ka qenë suksesi ynë. Jemi dashur fort," thotë zonja Lahe.