Ngrihet Komisioni për dhënien e statusit “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, ja çfarë përfitojnë fëmijët
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi të hënën ngritjen e një Komisioni që do u japë fëmijëve të Dëshmorëve të Atdheut statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”. Ata do të përfitojnë për çdo muaj deri në moshën 25-vjeçare pagën e plotë të prindërit ndërsa do të kenë mbështetjen e shtetit në edukim e punësim.
Është ngritur Komisioni Qendror për dhënien e statusit “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës"
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në fjalën e saj me ngritja e këtij Komisioni ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror, fëmijët e policëve, mjekët infermierët dhe të gjithë ata të cilët kanë marrë apo kanë përfituar statusin “Dëshmor i Atdheut”.
“Dhënia e statusit për Fëmijë në Përkujdesje të Republikës do të jetësohet menjëherë pas kësaj mbledhjeje të parë. Ashtu sikurse ne të gjithë e dimë ka qenë një angazhim i vetë Kryeministrit Rama për iniciimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm, i cili mbron fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët e atyre të cilët kanë dhënë jetën në shërbim të tjetrit, kanë sakrifikuar jetën e tyre për ata të cilët kanë pasur afër dhe për t’i shpëtuar ata. Ashtu sikurse janë policët, mjekët, infermierët dhe të gjithë ata të cilët kanë marrë apo kanë përfituar statusin “Dëshmor i Atdheut”, por që deri më sot përfitimet kanë qenë të kufizuara përsa i përket fëmijëve”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se ky ligj garanton një paketë të plotë përfitimesh duke nisur nga mbështetja financiare me pagën e prindit që ka humbur jetën në krye të detyrës.
“Ky ligj garanton një paketë të plotë përfitimesh duke nisur nga mbështetja financiare me pagën e prindit që ka humbur jetën në krye të detyrës pikërisht duke e përfituar deri në moshën 25 vjeçare nëse vazhdon edhe shkollën e lartë.”
Komisioni Qendror është i përbërë nga përfaqësues të disa ministrive dhe shoqatave që mbrojnë të drejtat e fëmijëve. Fëmijët në përkujdesje të Republikës do të mbështeten me pagën e plotë të prindit që ka humbur jetën në detyrë.
‘Fëmijët në Përkujdesje të Republikës' do të përfitojnë: Pagën e plotë mujore e prindit për fëmijën e vetëm; 140% e pagës kur prindi ka lënë pas dy fëmijë; 150% e pagës kur fëmijët jetimë janë tre; 160% e pagës së prindit kur në familje janë katër fëmijë që kanë humbur prindin, e me radhë. Përveç trajtimit financiar, këta fëmijë do të kenë mbështetje për edukim e arsimim, punësim, mbrojtje sociale dhe në shërbimin shëndetësor publik e privat. Do të garantohet plotësisht shërbimi shëndetësor falas jo vetëm në strukturat publike, por edhe në strukturat private apo dhe jashtë vendit, kur të jetë e nevojshme. Fëmijët në përkujdesje të Republikës do të përfitojnë gjithashtu bursën për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike dhe tekste shkollore falas.”

