I dënuar me 12 vite burg në Itali, arrestohet 57-vjecari nga Durrësi, për çfarë akuzohet

Një 57-vjeçar  i dënuar nga drejtësia italiane për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve është arrestuar nga policia e Durrësit.

"Ilir Plaku ishte dënuar në Itali me 12 vite burg ku i kanë mbetur për të kryer edhe 2 vite e 4 muaj burg vendosur nga Gjykata e Apelit të Cagliarit," informon policia e Durrësit.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka vendosur njohjen e Vendimit penal të formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Cagliarit e cila ka ndryshuar pjesërisht vendimin e datës 22.04.2008 të Gjykatës së hetimeve paraprake të Cagliarit duke e dënuar shtetasin Ilir Plaku me 12 vite burgim, për kryerjen e veprës penale “Trafikim i lëndëve narkotike” parashikuar nga legjislacioni penal Italian.

Me vendim penal të datës 24.01.2022, Gjykata e Apelit ka vendosur lënien në fuqi të Vendimit penal nr.589 datë 29.06.2021 të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Durrës. Shtetasit Ilir Plaku i mbeten për të vuajtur edhe 2(dy) vite e 4 (katër) muaj burg.

Materialet i kaluan Prokurorisë, së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime te mëtejshme .