Aksion brenda "shtëpisë së barit" në Ndroq, momenti kur policia shtrin përtokë kultivuesin. 3 në pranga, pronarja në kërkim

Policia e Tiranës ka zbuluar një laborator për kultivimin e kanabisit ku kishte lidhje të paligjshme energjie dhe ka arrestuar 3 persona.

Blutë bëjnë me dije se 2 nga personat e arrestuar janë punonjës të  OSHEE-së.

Kryeplaku i fshatit dhe një punonjës policie SPZ janë vënë nën hetim.

Në kërkim është shpallur organizatorja e kësaj veprimtarie e cila kishte marrë banesën me qira.

Policia bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në afërsi të xhamisë, në fshatin Pinet, Ndroq, një shtetase kishte përshtatur banesën, si ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike cannabis sativa, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pinet".


Të arrestuar

- Eriban D., 29 vjeç për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike" kryer në bashkëpunim;

- Qemal H., 47 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës";

- Erion M., 26 vjeç, me detyrë faturist pranë OSHEE-së për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Organizimi i lotarive të palejuara".

Nën hetim

- Kryeplaku i fshatit Pinet, shtetasi Elez K., 61 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

- Punonjësi i Policisë së Komisariati Nr. 6 Adrian M., 39 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet, në zonën e Ndroqit.

Në kërkim

- Rudina Xh., 32 vjeçe, e cila kishte marrë me qira këtë banesë. 32- vjeçarja u shpall në kërkim për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe "Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike" kryer në bashkëpunim.

"Shtetasja Rudina Xh., banesën e marrë me qira prej saj, së bashku me shtetasin Eriban D., i cili u kap në banesë gjatë ndërhysjes së shërbimeve të Policisë, e kishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ndërsa punonjësit e OSHEE, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim," informon policia.

Çfarë u gjet

Gjatë kontrollit të telefonit të shtetasit Erion M., iu gjetën programe për vendosjen e lotove sportive.

Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 247 bimë kanabis të kultivuara në vazo, 45 ushqyes elektrikë, 46 llamba elektrike, 11 freskuese, shuma prej 120.000 lekë të rinj dhe 7 aparate celulare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike" kryer në bashkëpunim, “Vjedhja e energjisë elektrike", “Shpërdorimi i detyrës” dhe "Organizimi i lotarive të palejuara".