6 marsi dhe ligji i dekriminalizimit, Krashi: PS nuk është mburojë për askënd, në fokus qytetari

Gjashtë bashkitë e vendit do të zgjedhin drejtuesit e tyre më 6 mars.

Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Dibrës, Lavdrim Krashi ishte i ftuar në studion e Ora News me gazetarin Everest Dedaj. Ai tha se zgjedhjet e pjesshme janë pak specifike për arsyen se kandidatët do të kenë nderin dhe përgjegjësinë të jenë drejtues të bashkive me mandatin për 1 vit. Në Dibër, PS do të hyjë në garë me Rrahim Spahiun.

Krashi: Duhet të jenë të kujdesshëm sepse atë që mund dhe duhet ta bëjnë për 4 vite duhet ta bëjnë për 1 vit. Duhet të jenë korrekt me njerëzit dhe mos e kthejnë kokën as majtas, as djathas por të jenë të drejtpërdrejtë.

A duhet të kishte një përgjegjësi politike për faktin që në 3 mandate disa zyrtarë të qeverisë Rama janë në burg për korrupsion?

Krashi: Unë e shoh në një këndvështrim tjetër. Do të thotë që më në fund sistemi i drejtësisë në Shqipëri po fillon të veprojë, ndëshkon njerëzit pavarësisht nëse ata janë me pushtet politik, ekonomik, financiar dhe nuk ka ndryshim para ligjit, të gjithë njerëzit janë njësoj. PS e ka bërë të qartë që të gjithë ata që kanë një barrë kriminale fillimisht të dyshuar dhe më pas të provuar e ka përgjegjësinë personale. PS nuk është mburojë dhe zyrë avokatie për askënd.

Zoti Krashi shtoi se gjatë fushatës që PS do të zhvillojë për zgjedhjet e 6 marsit është vetëm qytetari.