U mor i pandehur nga SPAK, pezullohet nga detyra anëtari i KPA, Ardian Hajdari

Pas shkarkimit nga detyra të Luan Dacit për shkak të dënimit nga Gjykata për falsifikim, Ardian Hajdari është anëtari i dytë i administratës së vettingut që pezullohet nga detyra për shkak të përballjes me drejtësinë. Vetë KPA ka vendosur ta përjashtojë atë nga seancat e vettingut pas ngritjes së akuzave nga SPAK për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë gjatë kohës që punonte si avokat.

Ardian Hajdari është zyrtari i dytë i lartë nga administrata e vettingut që pezullohet nga detyra për shkak të përballjes me drejtësinë pas luan dacit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi se ka marrë këtë vendim pas vënies në dijeni për marrjen në cilësinë e të pandehurit të gjyqtarit Ardian Hajdari nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sipas njoftimit të KPA, pezullimi I anëtarit hyn në fuqi menjëherë duke e përjashtuar atë automatikisht nga seancat e vettingut ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. 

Ardian Hajdari është kallëzuar penalisht në verën e vitit 2020 nga ish-gjyqtarët dhe prokurorët Antoneta Sevdari, Elsion Sadiuku dhe Ervin Metalla.

Ata e kanë akuzuar anëtarin e KPA-së për falsifikim dokumentesh dhe fshehje të pasurisë ndërkohë që SPAK ka nisur hetimet për këtë çështje.

Denoncuesit theksonin se Ardian Hajdari nuk ka deklaruar të ardhura gjatë vitit 2017, ndërkohë që gjatë intervistimit në Kuvend, për efekt të emërimit në KPA, ka thënë se në cilësinë e avokatit, po atë vit ka përfaqësuar dhe mbrojtur një numër të lartë çështjesh gjyqësore.

Në padi thuhet se nisur nga ky fakt “krijohen dyshime se ai ka krijuar të ardhura nga avokatia gjatë vitit 2017, por nuk i ka deklaruar në tatime dhe as në deklaratën e pasurisë”.

Më 31 janar 2022 Ardian Hajdari u paraqit para prokurores së çështjes Enkelejda Millonai e cila i ka komunikuar edhe akuzën e mosdeklarimit të pasurisë. Ardian Hajdari është zyrtari i dytë i lartë Ii administratës së vettingut që përballet me akuza penale pas Luan Dacit, që u shkarkua nga detyra pasi u dënua me 6 muaj burg për falsifikim dokumentesh.