"Basha bojkotoi zgjedhjet për 61 bashki, hyn në garë për 6 ", Këlliçi: "Shtëpia e Lirisë" po rikthen shpresën te qytetarët
"Ka paguar 1000 euro për familjet në këmbim të votës," tha Këlliçi më 6 maj 2021.
Për këtë deklaratë deputeti demokrat Belind Këlliçi vazhdon të përballet në gjykatë. Pas procesit të radhës në SPAK ai solli edhe një herë në vëmendje vjedhjen e votave në zgjedhje, teksa shtoi se paditësi nuk paraqitet në seancë.
"Është një farsë që vazhdon për një deklaratë që kam bërë për qarkun Durrës për masakrën zgjedhore që ka ndodhur në qarkun Durrës. Isha në seancë gjyqësore përballë Alfred Mullarait, kryetari i Këshillit Bashkiak Durrës i cili nuk mundet të vijë dhe të përballet në gjyq. Arsyeja pse ndodhem këtu është për shkak të tentativës së qeverisë dhe Rilindjes për t'i mbyllur gojën qytetarëve, çdo opozitari që ngre zërin për padrejtësitë në këtë ven," tha Këlliçi.
Për mediet ai nuk harroi të shigjetonte Lulzim Bashën sa i përket zgjedhjeve të pjesshme vendore
"Patjetër. Të futesh në zgjedhje përballë Ramës dhe të pretendosh se do ketë një proces të rregullt kjo është alogjike. Sigurisht që ka tentativa për manipulim dhe do të ketë, por nuk mund të flasim për fakte të padokumentuara. Ajo që është habi është fakti që fraksioni i vulës i PD, i Bashës nuk hyri në zgjedhje për 61 bashki në 2019 dhe hyn në zgjedhje për 6 bashki në 2022 me Edi Ramën. Nëse ka shqiptar që e zbërthen unë nuk e di, por e rëndësishme është që ne përmes koalicionit "Shtëpia e Lirisë" me kandidatë tanë po rikthejmë shpresën qytetarëve opozitarë, por mbi të gjitha atyre që janë përballë Edi Ramës sot," tha Këlliçi.
Në denoncimin e bërë në maj të vitit 2021 opozita akuzoi të paktën 41 persona si të përfshirë në skemën e blerjes së votave.
