Rijetëzimi i monumenteve të Kulturës, Rama: Fondet e BE vijnë me ide jo si lëmoshë
Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ishte në Krujë ku u bë prezantimi i projektit të Muzeut Etnografik, si edhe grantit të BE për banorët dhe Bonusit të Rijetëzimit të shtëpive të vjetra, në funksion të ekonomisë familjare e turizmit. Rama tha se nga tërmeti i vitit 2019 u prek edhe trashëgimia kulturore.
Rama: Me BE, për trashëgiminë kulturore kemi hartuar një program i cili do të jetësohet pas nismave konkrete. Ajo që vlen të nënvizohet sot është që këto burime plotësohen dhe harmonizohen edhe falë një ndërhyrjeje të re të qeverisë përmes ministrisë së Kulturës për të stimuluar ekonominë familjare. Qeveria do të financojë projektet dhe do të përfitojë nga grantet e qeverisë dhe të Komisionit Evropian për të transformuar banesat e vjetra ë hapësira të një aktiviteti ekonomik që do të krijojnë vetëpunësim, punësim dhe ekonomi për familjet.
Ftesa ime për banorët e këtyre zonave është që të përfshihen dhe të bëjnë ata që na mëson rruga e evropianizimit dhe integrimit në BE. Paratë, fondet dhe mbështetja financiare vijnë me ide, me projekte dhe aplikime të besueshme. Nuk vijnë si lëmosha që shpërndahen lart e poshtë.
